Xhaçka flet pas takimit me Dendias: Fredi Beleri s’ka lidhje me marrëdhëniet dypalëshe
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias është takuar sot në Bruksel me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka. Siç njofton edhe kryediplomati grek, gjatë takimit është diskutuar për arrestimin dy ditë para zgjedhjeve të kandidatët të opozitës në Himarë, Fredi Beleri.
Për këtë takim ka reaguar edhe ministrja Xhaçka, e cila shprehet:
Bruksel, takimi me mikun dhe kolegun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”.
Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe.
Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin.
Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë.
E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë.
KOHA JONË SONDAZH

