Xhafaj: Vetingu nuk ekziston si procedurë. Bylykbashi: Proces që s’është aplikuar në asnjë vend të botës

Zbardhet procesverbali i mbledhjes së 2 gushtit të Komisionit për Reformën në Drejtësi

Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare është një draft hibrid, i cili nuk ekziston dhe nuk është aplikuar asnjëherë në asnjë prej vendeve të botës dhe ajo që do të ndodhë mes njerëzve të drejtësisë do të ndodhë për herë të parë në historinë e drejtësisë, jo vetëm europiane, por edhe botërore. Ky fakt është pohuar edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura që Komisionit i Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi zhvilloi në datën 2 gusht. Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj gjatë prezantimit të draftit për vetingun të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it theksoi që nuk kemi një model të qartë për të pasur një referencë të ngjashme. “Por, natyrisht, edhe fakti që nuk ka një model të këtij standardi, nuk ka edhe një ligj që të përbëjë një standard për raste të ngjashme deri më sot, besoj se ka qenë kjo arsyeja që Drejtoria e Çështjeve Ligjore të Brukselit, por edhe Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të kenë qenë të involvuar drejtpërdrejt në vlerësimin e neneve të këtij projektligji dhe në mënyrë të veçantë të aneksit kushtetues. Ka qenë një përgjegjësi e gjithanshme për të pasur një ligj që të jetë në përputhshmëri me standardet më të mira ndërkombëtare të funksionimit të shtetit të së drejtës”,- është shprehur Xhafaj. Por, duke vijuar më tej, Xhafaj ka theksuar se ligji është i nevojshëm për të sqaruar detaje, për të sqaruar procedura teknike, që do ta bëjnë shumë më të aplikuar parashikimin kushtetues të paraqitur në aneksin kushtetues të ndërtuar posaçërisht për çështjen e procesit të vlerësimit. “Pra, të marra si të tilla, analizat që janë bërë për aplikime të ngjashme për procesin e aplikimit të vlerësimit të vetingut në vendet e tjera. Opinionet e Komisionit e Venecias dhe vetë shtjellimi që i ka bërë Kushtetuta këtij procesi, në aneksin kushtetues, janë një bazë e mirë solide, një kornizë që jo thjesht ndihmon, por nuk të lë të gabosh në hartimin e një ligji që është zbatues, siç është ky që po shqyrtojmë në lidhje me rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Kështu që i gjithë ky kuadër bazik t’i japë mundësinë këtij komisioni, ekspertizës, Parlamentit që i gjithë ky projektligj të jetë në standardet më të mira, natyrisht dhe domosdoshmërisht, në përputhje me amendamentet kushtetuese të 22 korrikut”,- është shprehur kryekomisioneri socialist për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj. Ndërkaq, në përpjekjen e tij për të mirëkuptuar nismën e partnerëve ndërkombëtarë, nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi do të theksonte se ky ligj i propozuar për Kuvendin e Shqipërisë është një ligj që nuk ekziston askund. “Ky ligj që miratojmë sot, vjen sot i pari, për një numër arsyesh, e tha edhe zoti Xhafaj është rëndësia e tij, është hera e parë që bëjmë një gjë të tillë, por kjo nuk do të thotë se do të jetë i pari, por edhe te kronologjia e veprimeve që do të ndiqen në këtë koncept të reformës në drejtësi, e kërkon që ky ligj, i cili do të shërbejë si një filtër i madh për sistemin, të jetë i pari, i miratuar, por sigurisht ne e dimë shumë mirë, diçka tjetër, të gjithë ne e dimë, pa përjashtim, vendas dhe ndërkombëtarë, ky është një ligj, i cili nuk ka një standard ndërkombëtar, nuk ekziston”,- u shpreh Bylykbashi.

Si i tillë, vijoi deputeti demokrat, duke mos pasur standard ndërkombëtar, me ato pak raste, që në shumicën e rasteve janë problematike, që ekzistojnë në vendet e tjera, të paktën në zonat, ku ne bëjmë referim për sistemet tona juridike, pra në zonën e Këshillit të Europës, nuk ekziston gjithashtu, as praktikë e mirë, nuk ka best practices, së cilës t’i referohesh në mënyrë solide për të zgjidhur problemin që kemi. “Si e tillë, besoj që rruga më e sigurt për të gjithë ne është kapja fort te parimet e shtetit të së drejtës, – pavarësisht gjyqësorit apo sistemit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, të paktën këto të tria. Për sa kohë ne jemi të kujdesshëm që ato të cilat ka parashtruar Komisioni i Venecias, në opinionin e tij për Shqipërinë apo në dokumente të tjera referuese, po mbi të gjitha atë që parashikon Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, besoj se do të jemi në gjendje të hartojmë një ligj, i cili do t’i bëjë të dyja detyrat: do të pastrojë sistemin e drejtësisë nga ky problem i madh që ne kemi sot, korrupsionin, mbi të gjitha, por edhe paaftësinë, aty ku do të jetë e mundur të identifikohen pjesët më problematike, por nga ana tjetër, duke garantuar një proces të rregullt ligjor. Ky është një merak i madh i cilitdo profesionisti, por e thënë e zezë mbi të bardhë, shumë fort, edhe nga Komisioni i Venecias”,- u shpreh Bylykbashi. Në këto kushte, pra në mungesë të standardit ndërkombëtar, në mungesë të praktikave të mira, demokratët theksojnë se rruga më e mirë është që ne të kemi një ligj, i cili është jo vetëm i bazuar në parime, por të jetë edhe një ligj i hartuar mirë, shumë i detajuar dhe shumë i qartë. “Na duhet që, nëpërmjet një ligji të kujdesshëm e të detajuar, ne të garantojmë se këtë detyrë e bëjmë, pa ekspozuar më pas ligjin karshi çdo lloj problemi që mund të lindë nesër nga të tretët, të cilët pavarësisht konsensusit tonë, mund të kenë problemet e tyre me këtë ligj. Kështu që, në këtë konsideratë të përgjithshme, unë besoj se biem të gjithë dakord. Këtu jemi profesionistë, përveçse me veshje politike. Ekspertët, gjithashtu, me formimin e tyre solid, janë të qartë në këtë”,- do të shprehej Oerd Bylykbashi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?