Xhixho: KAS mekanizëm politik, pjesë e masakrës së 25 prillit. Beteja jonë vazhdon
Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho vendimet e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) i quan politike dhe cilëson këtë strukturë si pjesë të masakrës së 25 prillit bashkë me Rilindjen. KAS ka rrëzuar kërkesat e LSI-së për përsëritje të zgjedhjeve në disa qarqe, edhe pse kjo forcë politike nxorri provat. Përmes një postimi në facebook, ajo thekson se karantina nuk u aplikua për njerëzit e Rilindjes, faktuar kjo me votimin e dyfishtë apo me rastet kur 14 persona rezultuan se kishin votuar 74 herë.
Postimi i plotë
KAS mekanizëm politik, pjesë e masakrës së 25 prillit. Vendimmarrjet e fundit të KAS për masakrën elektorale të 25 prillit treguan qartë se ai nuk është institucioni i pavarur dhe kushtetues që duhet të ishte, por thjesht një zgjatim i pushtetit të partisë-shtet.
Ai nuk mori parasysh asnjë nga provat e dëshmuara në sy të gjithë opinionit publik për parregullsitë, përdorimin e pandemisë për t’i ndaluar me vendim politik të Komitetit Teknik të drejtën e votës shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi, vendim që ndikoi drejtpërsëdrejti në rezultatin e qarkut Gjirokastrës. Ndërkohë që karantina nuk u aplikua për njerëzit e Rilindjes, faktuar kjo me votimin e dyfishtë apo me rastet kur 14 persona rezultuan se kishin votuar 74 herë.
KAS me vendimin e tij dëshmoi edhe një herë se nuk kishte forcën të ngrihej mbi interesin partiak për të mbrojtur interesin publik dhe ushtruar detyrën kushtetuese për të cilën do duhet të punonte. KAS rrëzoi edhe ankimimin e LSI për qarkun e Beratit, i provuar me fakte e prova për shkeljet flagrante, ku në të paktën 24 QV rezultati është i pavlefshëm, sepse kutitë janë mbushur, pasi rezultojnë më shumë fletë votimi sesa votues.
Shqiptarët meritojnë sot transparencë për deformimin që iu bë vullnetit të tyre, mes shantazheve, blerjes masive të votave, përdorimit të administratës dhe gjithë makinerisë shtetërore për interesa të ngushta elektorale, duke cënuar kështu rëndë standardet europiane të zgjedhjeve, si kushti nr .1 për hapjen e negociatave.
Beteja jonë do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të masakrës zgjedhore dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Pa këtë nuk ka demokraci dhe as të ardhme europiane për vendin.