Xhixho: Marrëveshja PD-LSI shkon përtej zgjedhjeve të 25 prillit

PD-ja dhe LSI-ja, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në dokument ishin renditur dhe 13 prioritetet që PD dhe LSI do të kenë në qeverisjen e ardhshme nëse arrijnë të fitojnë zgjedhjet. Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho e cilësoi bashkëpunimin si “koalicionin më të gjerë që Shqipëria ka pasur në 30 vjet”. Ajo tha se dy partitë do të garojnë në një front pavarësisht se do të kenë dy lista kandidatësh për deputetë.

”Kjo është një marrëveshje formale në sensin e një fronti opozitar por angazhimet tona dhe angazhimet e kësaj marrëveshje janë angazhime të dy liderëve dhe forcave politike për qeverisjen e ardhshme pas 25 prillit. Çdo qytetar kërkon një qeveri të përgjegjshme dhe ata shprehen me votë për dështimet. Rilindja do të marri ndëshkim historik më 25 prill”, u shpreh Xhixho për ”Euronews Albania”.

Ajo tha se taktika për të dalë më dy lista është bërë në mënyrë që LSI të paraqitet me siglën e saj në fletën e votimit. Por, LSI dhe PD në qarqe me pak votues, siç janë Kukësi dhe Dibra, do të jenë me një listë kandidatësh në mënyrë që të sigurojnë sa më shumë mandate deputetësh për ballë PS-së.

SHKARKO APP