Xhixho: Mazhoranca arrogante dhe agresive ndaj medias
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho i është përgjigjur numrit 2 të Partisë Socialiste Taulant Balla, lidhur me paketën anti-shpifje. Xhixho tha se mazhoranca duhet të reflektojë ndërsa e quajti paketë një ogur të zi në lirinë e medias. Ajo deklaroi se rezistenca ndaj këtij ligji duhet të vazhdojë në të gjitha format demokratike.
“LSI është në krah të gazetarëve, në një situatë si kjo ku ndodhemi sot me një parlament monopartiak. Ndikimi i mazhorancës me një qasje shumë agresive ndaj fjalës së lirë, bëjnë që një nga zërat që sot kundërshton dhe bën një farë balance janë target grupi i parë ndaj këtij ligji. Është një shans për mazhorancën që të reflektojë. Balla tregon arrogancën e kësaj mazhorance përmes kësaj deklarate dhe njëfarë mënyrë qasjen agresive ndaj medias. Rezistenca ndaj këtij ligji duhet të vazhdojë në të gjithë format demokratike. Në këtë krizë ku ndodhet vendi pas tërmetit, kjo mazhorancë synon të mbyllë një nga të drejtat e njeriut që është ajo e lirisë së shprehjes. Kjo paketë është një ogur i zi”, deklaroi Erisa Xhixho për Report Tv.