Xhixho: Ministrja e Arsimit të reflektojë sa nuk është vonë, nxënësit me revoltën e tyre kërkojnë thjesht drejtësi
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho ka reaguar lidhur me testet e çuditshme të Ministrisë së Arsimit për Maturën Shtetërore.
“Teza me alternativa ka si qëllim për të parë sa nxënësi ka përditësuar lënden e jo për të bërë të pamundur zgjidhjen e saj.
Ka gjithmonë një debat nëse në lëndët sociale nxënësit duhen testuar me tezë me alternativa apo me shtjellim.
Pasi teza me alternativa ka një shkallë vështirësie më të madhe dhe nuk i jep mundësi nxënësit sidomos në lëndët sociale të shprehi gjithë njohuritë e tij për lëndën duke mos nxitur argumentimin apo mendimin e tij kritik, kufizim i kreativitetit etj.
Ndërkohë që teza me shtjellim sidomos në lëndët sociale i jep mundësi nxënësit të argumentojë,analizojë apo kritikojë në mënyrë shteruese dhe e ndihmon të shprehi përditësimin e lëndës.
Por t’i shtosh vështirësisë që ka teza me alternativa edhe elementë që nxisin paqartesinë, konfuzionin, apo subjektivizmin, nuk është aspak konstruktive.
Kjo përqasje, jo vetëm nuk është profesionale, por nga deshmitë mund të themi edhe qëllimisht keqdashese. Është pak të thuash, kjo sjellje tregon një guxim injorantësh që kanë vite që luajnë me fatet , ëndrrat, dhe të ardhmen e rinisë sonë.
Provimi i maturës duhet të jetë një moment i shënuar në jetën e çdo maturanti për të parë e sfiduar veten se duke studiuar me perkushtim ti mund t’ja dalësh jo vetëm në këtë provim ,por në çdo sfidë që jeta të sjellë përpara.
Kenaqsia që të dalësh nga provimi i lumtur që ja ke dalë duke rritur vetbesimin dhe krenarinë tënde dhe të prinderve të tu.
Por fatkeqësisht Ministria e Arsimit dhe Qëndra e Shërbimit Arsimor as nuk e ka kuptuar qëllimin për të cilin funksionon dhe se si mund të dëmtojnë modelin e ecjes në jetë me një tezë të dështuar për mijëra maturantë që nga të rinj me ëndrra e me principe mund të shndërrohen në individë që të vënë në pikëpyetje mënyrën e tyre si do ecin nesër në këtë Shqipëri që vetëm rregulla, ligj dhe arsye nuk ka më.
Ndaj ftoj Ministren të reflektojë sa nuk është vonë e të dëgjojë e pranojë kërkesat e nxënësve që me revoltën e tyre kërkojnë thjesht drejtësi.
Keni detyrimin t’ja jepni këtë model e nëse nuk mundeni largohuni, pasi fatmiresisht ka ende shumë të rinj që sot besojnë ende që me punë e perkushtim mund t’ja dalësh në këtë vend “, shprehet nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho.