Xhixho nxjerr pamjet: Shqipëria po vuan periudhën më të vështirë me emigrimin masiv të të rinjve për shkak të keqqeverisjes
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, denoncon pamjen e zymtë të Shqipërisë të krijuar nga braktisja e vendit në këto vite të qeverisjes nga ana e Edi ramës dhe sektit të korruptuar të rilindjes.
Teksa kujton ditën ndërkombëtare të emigracionit, Xhixho shprehet se Shqipëria po vuan periudhën më të vështirë me emigrimin masiv të të rinjve për shkak të keqqeverisjes, papunësisë, pasigurisë, padrejtësisë dhe mungesës së shpresës për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë.
E për të argumentuar këtë, nënkryetarja e LSI-së publikon një video që sipas saj, sjell fakte të tjera të situatës në të cilën ndodhemi.
“Sot në ditën ndërkombëtare të emigracionit Shqipëria po vuan periudhën më të vështirë me emigrimin masiv të të rinjve për shkak të keqqeverisjes, papunësisë, pasigurisë, padrejtësisë dhe mungesës së shpresës për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë.
Jemi në vendin e parë për azilkërkues për vendet e BE dhe jemi pas Sirisë për numrin më të lartë të azil kërkuesve.
Ndërkohë, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë ka kryer një anketim me të rinj nga gjithë vendi ku shihet një rritje e papunësisë dhe pesimizmit të tyre për të ardhmen.
Shqipëria aktualisht ka mbi 23% të popullatës në moshat 15 – 29 vjeç, ose mbi 660 mijë të rinj, djem e vajza, dhe sipas sondazhit, pjesa më e madhe e tyre tani e mendojnë emigrimin si rrugën kryesore dhe të vetme për mbijetesën e tyre dhe të familjes.
Po ndaj me ju një video që sjell fakte të tjera të situatës në të cilën ndodhemi”, shprehet nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho.