Xhixho: Shantazhuesit, patronazhistët e gjithë ata që kërcënojnë dinjitetin i them do të jemi përballë jush më 25 prill

Kandidatja e LSI-së për Tiranën, Erisa Xhixho, nga sheshi “Nënë Tereza” ku u mbajt mitingu madhështor dhe përmbyllës i fushatës së LSI-së kishte një mesazh për shantazhuesit, për ata që kërcënojnë, për ata patronazhistët që ju kanë kërcënuar ju me vendin e punës, me bukën e fëmijëve tuaj, që kërcënojnë dinjitetin tuaj dhe duan ta blejnë atë.

“Përshëndetje Tirana, përshëndetje Shqipëria! Faleminderit nga zemra për të gjithë qëndresën tuaj, për këtë kurajo dhe për këtë guxim, që i qëndruat përballë këtij regjimi që do mbarojë më 25 prill, me një ndëshkim shembullor të votës së të gjithë shqiptarëve. Pjesëmarrja juaj e jashtëzakonshme në këtë miting madhështor, është dëshmia e qartë e një fitoreje të njerëzve të thjeshtë, e një fitoreje të shqiptarëve, për të rikthyer ëndrrën se Shqipëria bëhet nga shqiptarët.

Unë ju ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, të cilët kanë marrë modelin më të shëmtuar të kësaj qeverisje. Të kësaj qeverisje që i shkatërroi trashëgiminë, i shkatërroi historinë, që e betonizoi, që bëri që mijëra të rinj të largohen nga Tirana, të largohen nga Shqipëria. I ftoj ata më 25 prill të votojnë numrin 6, të votojnë LSI-në, për të rikthyer besimin, për të hapur vende të reja të punës, për të luftuar varfërinë, padrejtësinë, për të ndëshkuar ata që e sollën në këtë gjendje vendin tonë. Për të luftuar së bashku dhe për të ndërtuar Shqipërinë Europiane që dëshirojmë të gjithë,

Të dashur miq, unë besoj fort tek fuqia e votës suaj dhe nga ky shesh i njerëzve të lirë, dua të jap një mesazh për shantazhuesit, për ata që kërcënojnë, për ata patronazhistët që ju kanë kërcënuar ju me vendin e punës, me bukën e fëmijëve tuaj, që kërcënojnë dinjitetin tuaj dhe duan ta blejnë atë. I them nga ky shesh që ne nuk ndalemi, ne nuk shitemi, ne nuk blihemi. Por ne do të jemi përballë jush më 25 prill për t’i rikthyer Shqipërinë shqiptarëve. Faleminderit nga zemra, ju ftoj të gjithëve më 25 prill të votojmë të qetë, të lirë, dinjitozë, Lëvizjen Socialistë për Integrim, numrin 6”, deklaroi kandidatja e LSI-së për Tiranën, Erisa Xhixho.

SHKARKO APP