“Xing me Ermalin” si Shqipëria që ëndërron Rama

Nga Andi Bushati/

Nisja e një viti në rolin e kllounit nuk është mëkati i vetëm i shfaqes së Edi Ramës përballë Ermal Mamaqit. Përtej gëlimit të debateve të shumta, përtej serialit të gënjeshtrave për shtëpinë e Surrelit, përtej hipokrizisë për protestat e studentëve, kishte në atë dialog që nuk prodhoi dot humor diçka më të rëndë.

Në një moment, gjatë bisedës, kryeministri iu drejtua me një këshillë qytetarëve të vet. Mos shihni më lajme për një javë, mos lexoni gazeta dhe portale gjatë kësaj kohe. Mbylleni televizorin, shikoni vetëm futboll apo Xingun e Ermalit dhe do të kuptoni se jetoni në një vend më të mirë, predikoi ai gjatë emisionit.

Do të qe mungesë e madhe serioziteti, që pas një bashkëbisedimi aq pak serioz të filloje të teorizoje për rolin e pashmangshëm të pushtetit të katërt në demokraci, për fjalën e lirë dhe pluralizmin e opinioneve në një shoqëri si e jona, që do e vizatonin ashtu siç është në të vërtetë, kllounin që për vete shpenzon 4-5 orë të ditës duke na u shfaqur pas ekranit.
Por do të qe një eksperiment më i thjeshtë nëse, do të imagjinonim për një çast, sikur ta kishim zbatuar këshillën e Edi Ramës gjatë këtij një viti e gjysëm që ai po gllabëron i vetëm tepsinë.

Nëse do të kishim mbyllur TV-të dhe s’do të kishim klikuar mbi portale, ne nuk do ta kishim marrë vesh se ministri i policisë që deshëm ishte i lidhur me Habilajt dhe se trafiku i narkotikëve kishte plasur sheshit.

Nëse do ta bënim këtë, ne do të qemë të bindur se përgjimi i Babales me Agron Xhafajn ishte një manipulim i vërtetuar si i tillë nga një laborator serioz ndërkombëtar.

Nëse do ta bënim këtë, ne do të besonim se Rama dhe Veliaj duan ti falin kryeqytetit një teatër të ri modern, pa menduar aspak për biznesin 200 milionë eurosh 6 kullave që do të ndërtohen në qendër.

Nëse do ta bënim këtë, ne s’do ta merrnim vesh kurrë se pas projektit 20 milionë euro për kilometër të unazës, fshihej një tender i trukuar dhe një lojë me letra fallco.

Nëse do ta bënim këtë, ne do kujtonim se vërtet qëllimi i qeverisë ishte të pastronte qytetet dhe jo ti falte miliona atyre që fshihen pas biznesit të inceneratorëve.

Nëse do ta bënim këtë, ne do ta mirkuptonim kryeministrin e të pasurve që thotë se nuk ka më shumë para për studentët, pasi nuk do ta merrnim vesh kurrë se me një të rënë të lapsit ai përgjysmoi tatimin mbi dividentin oligarkëve.

Kështu vërtet që, ç‘do mbrëmje, do binim në gjumë me ëndrrën e jetesës në një vend më të mirë, që ngjan shumë me atë që na e tregon nga TV, në monologjet e tij alla Fidel, Edi Rama.

Kështu, me tru të shplarë, vërtet do ti shijonim më shumë emisionet humoristike siç bënim me skeçet e Ben Shakës në kohën e Enverit të parë.

Kështu vërtet do të drithëroheshim për golat e Ronaldos apo Mesit si me të vetmin emocion që na kishte mbetur në jetë.

Por, fatkeqësisht për ne, kjo ekzistencë idilike është e pamundur. Sistemi që na kanë imponuar të jetojmë nuk e pranon këtë tablo njëngjyrëshe të realitetit.

Megjithëatë, pamundësia fatkeqe e qindra mijra shqiptarëve, për ta imagjinuar veten në Eldoradon që u pikturon Edi Rama, nuk është asgjë përballë mjerimit të një kryeministri që ëndërron si të vetmen rrugëdalje ti mbyllë veshët dhe sytë qytetarëve të vet. Kjo është shenja e qartë se pas 5 vitesh pushtet demagogjia e tij ka përfunduar. Propaganda e tij ka vdekur.

Vetëm një vit e gjysëm, pasi kërkoi të tërë tepsinë për të ndarë paratë me dhjetë oligarkë, ai e ka kuptuar që gënjeshtra se fajin e kishte grykësia e aleatëve të vegjël nuk ka funksionuar. Ashtu sikurse e di se alibitë që fajsojnë drejtorët e provincave, zyrtarët e legalizimit, apo dekanët e fakulteteve nuk e mbulojnë dot oreksin për grabitje masive.

Tani e vetmja ëndër i ka mbetur të vazhdojë orgjinë e tij pa e treguar ndokush me gisht se mbreti është lakuriq.

Prandaj shpreson që shqiptarët mos dëgjojnë dhe shikojnë më asgjë përpos atij. Pikërisht për këtë i ftoi qytetarët të mos lexojnë mediat dhe mos shohin lajmet. Pikërisht për këtë i këshilloi ata ta hapin televizionin vetëm për të parë futboll dhe barcaleta.

Sepse në thelb Edi Rama ëndërron një “parajsë” ku ai dhe një grusht klientësh të vazhdojnë të grabisin, ndërsa dynjaja gajaset në “Xing me Ermalin”./lapsi/

SHKARKO APP