Ylli Manjani: Ndërhyrja e qeverisë për kishën, e pavënd
Nënkryetari i LSI, Ylli Manjani u tregua kritik për disa qendrime apo nisma të qeverisë Rama.
Në në intervistë për Ora News, Manjani u ndal fillimisht në debatin e krijuar mes shtetit shqiptar dhe atij grek për kishën që u prish në Dhërmi.
"Për mua është debat i pavënd.
Kemi një Kushtetutë që e ndan shetin nga kisha, nga kleri.
Këto nuk janë çështje të shtetit, as qeverisë dhe as më pak të qeverisë greke", tha ai.
Manjani u shpreh kundër fasadës së re të Kryeministrisë, por dhe projektin për parkun e liqenit të Tiranës.
"Unë nuk i hyj fare projektit, jam i pikëpamjes se aty nuk duhet ndërtuar.
Në hapësirën e Liqenin Artificial nuk duhet lejuar ndërtimi, pikë.
Mezi e pastruam atë pjesën aty kur erdhi Papa, morëm një vendim si qeveri për ta pastruar atë zonë, e pastruam.
Tani pse duhet të vendosim ta ndotim prapë", tha ai.
Ndërkohë nënkryetari i LSI shprehu hapur kundërshtinë e tij për çështjen e mbledhjes së taksave vendore dhe shkrirjen e policisë bashkiake.
Sipas Manjanit përpara se të merren vendime të tilla, duhet të bëhen konsultime të gjera.
Por a përfaqësojnë deklaratat e Manjanit, qëndrimin e LSI?
"Këto nuk mund të jenë çështje politike, apo koalicionit, janë çështje që i takojnë qytetarisë dhe zhvillimit urban", tha Manjani.