Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, kompania X One: Shqipëria mirëpret për herë të parë hotelin dhe shërbimet e markës Philip Plein
Së shpejti, Tirana do të jetë shtëpia e re e hotelit dhe kompleksit të parë luksoz nga Philipp Plein, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes ikonës botërore të modës dhe kompanisë shqiptare të pasurive të paluajtshme, X One shpk.
Projekti premton të ndryshojë pamjen e horizontit të qytetit dhe të rishkruajë standardet e mikpritjes luksoze në Shqipëri.
E drejtuar nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, kompania X One do të zhvillojë projektin Grand Park Skyline në zemër të Tiranës. Struktura me 3 kulla, e dizajnuar nga arkitekti i njohur Valerio Olgiati, përfshin një hotel të klasit të lartë të brand-it Plein, me të paktën 150 dhoma, 100 rezidenca luksi, një sallon ekskluziv, restorantin ‘Sukaru Ba’ dhe beach bar-in ‘Crystal Beach’ – të gjitha këto nën markën e Philipp Plein.
Ky bashkëpunim forcon investimet e grupit Plein në fushën e hotelerisë, argëtimit dhe shërbimeve në një projekt të vetëm, duke forcuar pozitat e X One si një lojtar kryesor në tregun e luksit në Shqipëri. Projekti pritet të zgjasë pesë vjet dhe do të përfundojë në vitin 2030.
Philipp Plein, stilist dhe CEO i grupit Plein, shprehu entuziazmin e tij për këtë sipërmarrje. “Jemi shumë të kënaqur që marka Philipp Plein dhe eksperienca jonë në fushën e mikpritjes, argëtimit dhe ushqimit u zgjodhën për një pronë kaq unike në panoramën europiane”, tha ai. Plein theksoi prestigjin që përfaqëson ky projekt dhe përkushtimin e brand-it për të ofruar eksperienca luksoze të pakrahasueshme.
Grand Park Skyline pritet të kthehet në një simbol të modernizimit të Tiranës dhe të tërheqë investitorë të nivelit të larë dhe turistë të shumtë. Dizajni i brendshëm dhe shërbimet do të pasqyrojnë estetikën guximtare të stilistit Philipp Plein, i cili do të mbikëqyrë personalisht elementet kyç të arkitekturës dhe dizajnit.
Carmine Rotondaro, këshilltar biznesi i Grupit Plein, i cili negocioi marrëveshjen me X One, e përshkroi projektin si një “moment historik në rritjen dhe zhvillimin e markës Philipp Plein”. Ai theksoi se ky bashkëpunim mund të shërbejë si një model i shkallëzueshëm për zhvillimet e ardhshme luksoze në qytete të tjera në mbarë botën.
CEO i X One, Ylli Ujka, ndau të njëjtin optimizëm, duke vënë në dukje rëndësinë strategjike të bashkëpunimit me një markë të njohur globalisht. “Ne besojmë se stili dhe qasja avangarde e saj përputhen përsosmërisht me vizionin tonë”, tha ai, duke nënvizuar investimin emocional dhe profesional në projekt.
Kur të përfundojë, Grand Park Skyline pritet të kthehet në një magnet për udhëtarët që pëlqejnë luksin, dhe të spikasë në peizazhin në zhvillim të Shqipërisë. Projekti do të rrisë industrinë e turizmit në Tiranë dhe do të konfirmojë potencialin e Shqipërisë si një destinacion luksoz.
Teksa Shqipëria vazhdon të shfaqet si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar, ky bashkëpunim shënon një kapitull të ri në skenën e mikpritjes në vend. Bashkimi i modës dhe arkitekturës premton të ofrojë një përvojë unike, që kombinon komoditetin e nivelit të lartë me elegancën artistike.