Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë për Saimir Tahirin

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë argumentohet se ka shkelje proceduriale gjatë gjykimit të Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit Jaeld Celës.

Me vendimin e marrë, Gjykata e Lartë vendosi shfuqi e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Por Kolegji interpretoi gjithashtu se gjykata mund të bëjë një cilësim të ndryshëm ligjor të fakteve- siç është ndryshimi i akuzës nga trafikimi i narkotikëve në shpërdorim detyre.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë sqaron se rrethanat ligjore të çështjes së paraqitur për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nuk kanë qenë të tilla që të justifikojnë kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, konform nenit 428/1, shkronja ç) të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon të drejtën e Gjykatës së Apelit për prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

Në interpretim të përmbajtjes të dispozitës së sipërcituar, rasti për të cilin Kodi i Procedurës Penale lejon prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e akteve për rigjykim asaj gjykate, nuk të lidhet me cilësimin e saktë ligjor të fakteve dhe akuzën e ngritur nga prokurori, por lidhet vetëm me rastet kur rezulton se nuk janë respektuar dispozitat në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, si psh; kur prokurori në gjykim ka papajtueshmëri, të cilat e bëjnë pjesëmarrjen e tij të pamundur për përfaqësimin e asaj akuze në gjykim. Kjo rezulton qartë nga vetë formulimi i dispozitës së cituar, e cila parashikon si shkak të prishjes se vendimit dhe kthimin e çështjes në shkallë të parë, vetëm në rastet kur konstatohet papajtueshmëria e gjyqtarit (duke e lidhur me mosrespektimin e dispozitave që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete), po ashtu dhe për papajtueshmërinë e pjesëmarrjes në gjykim të prokurorit”, citohet nga vendimi i plotë.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë kryesohej nga Sokol Sadushi, me relator Ilir Pandën dhe anëtar Ervin Pupen. Në fillim të seancës u njoftua se kryesuesi Sadushi kishte kërkuar dorëheqjen nga shqyrtimi i rekursit të Tahirit dhe Çelës, por kërkesa e tij ishte rrëzuar nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit. Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim.

SHKARKO APP