Zbulohet kush ishte në makinë kur Ahmetaj u aksidentua në Maqedoni
Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha, ka zbuluar për herë të parë, emrin e personit që ishte në makinë me ministrin e Financave,Arben Ahmetaj, teksa ky i fundit u përfshi në një aksident të rëndë rrugor në Maqedoni.
“Klodian Zoto, pronari i inceneratorëve ka qenë në makinë me Ahmetaj në aksidentin e Maqedonisë”, u shpreh Basha i ftuar në “Studio e Hapur”.
Ministri u aksidentua në gusht të 2017-ës. Ai ishte pasagjer në automjetin Land Rover, dhe u aksidentua në rrugën Tabanoc-Kumanovë. Në aksident u përfshinë një autobus dhe dy vetura, ndërsa numri i personave të lënduar shkonte në rreth 18. Në atë kohë shoferi i autobusit në dëshminë e tij tha se e gjitha ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën lëvizte makina e Ahmetajt
Qeveria shqiptare i dha kompanisë së Klodian Zotos tenderin e dyshimtë për të cilin opozita akuzon se nuk është zhvilluar garë, për ndërtimin e tre inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë.
Kompanisë Integrated Technology Waste Treatment, ka fituar koncesionin për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Fierit, një kontratë 30-vjeçare.
Banorët e Fierit gjatë zgjedhjeve të 2017-ës penguan nisjen e punimeve, ndërsa edhe së fundi kanë zhvilluar protesta për ta kundërshtuar këtë projekt që i dëmton ata. Protesta të cilat janë mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kryetarja e saj, Monika Kryemadhi, raporton Express
Kompania “ Technology Waste Treatment Fier” me pronar të vetëm Klodian Zoton, i akuzuar nga opozita si lidhje e ngushtë e ministrit Arben Ahmetaj, do përfitojë gjatë 2018-ës rreth 660 milionë lekë të tjera, megjithëse nuk e ka zgjidhur ende çështjen e tokës ku do ngrihet incineratori. Zoto ka përfituar 178 milionë euro për ndërtimin e tre inceneratorëve. /Express/


Në përfundim të emisionit “Studio e Hapur”, moderatorja Eni Vasili lexoi një mesazh të ardhur në telefonin e saj nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.
“Nëse ti provon se Klodian Zoto ka qenë në makinë me mua në Maqedoni, ose ndonjëherë në makinë me mua, unë jap dorëheqjen. Nëse nuk e provon, jepe ti dorëheqjen.” – kishte shkruar Ahmetaj.
Basha u përgjigj shkurt.
“Ti nuk je për dorëheqje ti je për burg Arben”.
Pak më parë gjatë emisionit, Basha përmendi disa emra biznesmenësh si të lidhur me qeverinë nëpërmjet aferave korruptive. Mes tyre ishte edhe Klodian Zoto, ndërtuesi i inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Sipas Bashës, pas Zotos qëndron Arben Ahmetaj. Basha shkoi edhe më tej duke u shprehur se kur Ahmetaj u përfshi në një aksident me makinë në Maqedoni disa muaj më parë, një nga personat që e shoqëronte ishte Klodian Zoto.
KOHA JONË SONDAZH

