Zeqir Kordhoni: E dua unë mandatin e deputetit. Rrezikohet hyrja e Adriatik Lapajt në Kuvend
Strategjia e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” për të siguruar hyrjen në Kuvend të liderit të saj Adriatik Lapaj është vënë seriozisht në dyshim, pas një zhvillimi të papritur: kandidati Zeqir Kordhoni ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetit, nëse vjen radha e tij sipas listës së mbyllur.
Në një letër zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e firmosur përpara noterit më 15 korrik, Kordhoni shpreh qartë vullnetin për të ushtruar funksionin e deputetit. Ai kërkon që KQZ të injorojë çdo deklaratë të mëparshme të depozituar në emër të tij nga përfaqësuesit politikë të koalicionit.
“Kërkoj që KQZ të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim,” – thuhet në letrën e dorëzuar nga Kordhoni.
Listat fiktive – një praktikë që po minon besimin te zgjedhjet
Ky rast hedh dritë mbi një praktikë thellësisht problematike dhe të rrezikshme për demokracinë: përpilimin e listave me kandidatë “fiktivë”, të cilët janë futur me marrëveshje të brendshme për të mos ushtruar mandatin, duke i hapur rrugë emrave të caktuar nga krerët e partive.
Në rastin konkret, “Nisma Shqipëria Bëhet” mbushi listën e mbyllur në Tiranë me 12 emra kandidatësh që pritej të dorëzonin mandatin, në mënyrë që Adriatik Lapaj, kandidati më i votuar në listën e hapur, të merrte mandatin e deputetit.
Por vullneti individual i Zeqir Kordhonit e ka përmbysur këtë skemë dhe ka nxjerrë në pah se asnjë kryetar partie nuk ka të drejtë të caktojë në mënyrë fiktive se kush do të hyjë në Kuvend dhe kush jo. Kandidaturat janë personale dhe ligjërisht të vlefshme, pavarësisht planeve politike të krerëve të subjekteve.
KQZ në dilemë
Ligjërisht, nëse një kandidat i listës së mbyllur si Kordhoni deklaron se do ta pranojë mandatin, KQZ është e detyruar t’ia japë atë, pavarësisht se çfarë strategjie politike ka ndjekur koalicioni. Në këtë mënyrë, zinxhiri i dorëheqjeve ndalet dhe Adriatik Lapaj nuk arrin dot të marrë mandatin, edhe pse ka mbështetjen më të madhe popullore nga koalicioni në Tiranë.
Lapaj në pritje, NSHB përballë një krize të brendshme
Për Adriatik Lapajn, kjo situatë është një goditje politike e papritur. Pavarësisht mbështetjes së gjerë dhe votave të shumta të fituara si kandidat i pavarur brenda NSHB, ai rrezikon të mos jetë pjesë e Kuvendit për shkak të vendimeve të brendshme jo të qarta dhe përzgjedhjes së kandidatëve fiktivë nga vetë struktura drejtuese e koalicionit.
Apel për transparencë dhe riformatim të sistemit
Ky rast është një sinjal alarmi për reformën zgjedhore në Shqipëri. Duhet të vendoset ndalim i qartë dhe sanksione për partitë që përdorin kandidatë fiktivë vetëm për të manipuluar renditjen e mandateve. Kryetarët e partive nuk duhet të përpilojnë lista formale me qëllime informale, duke përdorur qytetarët si “mish për top” elektoral.
Demokracia kërkon garë reale dhe përfaqësim të vërtetë. Nëse nuk trajtohet me serioz ky fenomen, rrezikohet legjitimiteti i zgjedhjeve dhe besimi i qytetarëve në procesin demokratik.
KOHA JONË SONDAZH

