Zëri i Amerikës: Konkurset publike në Burgje, fushatë punësimi për zyrtarët e PS
Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.
Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.
Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.
“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur.
Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko.
Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë janë përgjuar ndërsa shëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime apo transferime nisur nga lidhjet partiake apo personale, dhe jo mbi bazën e meritës.
Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë apo njerëzit e lidhur me pushtetin-një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri.
Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal për transferimin e një të dënuari.
Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.
Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se procedurat e punësimeve në Burgje janë në proces hetimi. Një drejtues i çështjes u rezervua megjithatë të komentonte nëse ishin marrë në pyetje persona të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga pranoi bisedën telefonike gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndërsa shpjegoi se kishte ndërmjetësuar për rastin pas një kërkese për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës. Thëniet e saj u konfirmuan edhe nga Motër Tereza Maria e misionit me qendër në Tiranë, e cila pohoi se i kishte transmetuar Bizhgës një kërkesë për ndihmë gjatë një takimi në Kryeministri, të cilin e quajti privat.
Zyra e shtypit e Kryeministrit nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi ndërhyrjet për punësime në burgje deri në botimin e këtij shkrimi.
Trafiku i influencës
Ndarja e vendeve të punës në administratë sipas përkatësisë partiake dhe jo sipas meritës është një problem i mbartur i tranzicionit në Shqipëri. Reforma në administratën publike është gjithashtu një ndër kushtet kryesore për integrim në BE, e cila në progres raportin e fundit kërkoi hapa të mëtejshëm në sigurimin e një administrate eficente, të depolitizuar dhe profesionale.
Administrata jo-politike është gjithashtu një premtim i përsëritur i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 fajësoi aleatin e vogël LSI për punësime politike dhe deklaroi se do ta çonte “tepsinë për skrap”.
Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve.
Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë.
E pyetur mbi rrethanat e telefonatës së bërë në emër të saj me Çukon, shefja e kabinetit të Ramës, Znj.Vali Bizhga shpjegoi se kishte marrë një kërkesë për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës gjatë një takimi të zhvilluar me to në Kryeministri në fund të janarit.
Gjatë takimit, motrat e Nënë Terezës kishin kërkuar ndihmë për një grup prej rreth 15 të rinjsh të sapodiplomuar nga familjet vulnerabël, të cilët e kishin pasur të pamundur të gjenin punë. Bizhga shtoi se ishte ndjerë keq gjatë takimit dhe CV-të e të rinjve ia kishte përcjellë Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
E pranishme në takim ishte edhe Vitiona Dervishaj, një vajzë rreth të 30-ave e diplomuar për juridik, e cila ishte e vetmja që insistonte për punë në shtet.
“Arsyeja lidhej me babanë e saj, i cili kishte qenë punonjës i Burgjeve dhe kishte humbur jetën në aksident. Gjatë ceremonisë mortore, shokët e të atit i kishin premtuar asaj vendin e tij në burgun e Fushë-Krujës,” tha Znj.Bizhga.
Ajo shtoi se nga janari në fund të prillit ishte pritur që të krijohej mundësia për konkurs dhe se telefonata nga zyra e saj ishte bërë pas insistimit të vazhdueshëm të motrave të Nënë Terezës.
“Ajo nuk është pranuar në punë pa konkurs dhe zotit Çuko nuk i është thënë që do ta fusësh në punë. Është e vërtetë që ajo është aksesuar në konkurs, por ftesa për konkurs u drejtohet të gjithëve,” tha Bizhga për Zërin e Amerikës.
E pyetur nëse ajo ia kishte dalë të fitonte konkursin, Bizhga tha se nuk e kishte ndjekur çështjen në detaje. “Unë nuk di të them nëse kishte një kandidat më të zotin se Vitiona për atë punë. Këtë unë nuk di ta them,” shtoi ajo.
E kontaktuar përmes telefonit, motër Tereza Maria e misionit të Motrave të Nënë Terezës në Tiranë konfirmoi takimin në kryeministri dhe tha se kishte shkuar atje në mirëbesim, për të qarë një hall.
“Takimi ka qenë privat dhe unë kam kërkuar ndihmë për një grup të rinjsh që nuk kishin asnjë mundësi punësimi. E vetmja për të cilën u bë diçka ishte Vitiona, por edhe ajo nuk u rregullua në profilin e saj, por si arkiviste,” tha Motër Tereza Maria.
“Të tjerët i lanë nëpër zyrat e punës, derisa e kuptuan se janë tallur te zyrat e punës dhe janë tërhequr,” shtoi e zhgënjyer ajo.
Komunikimet e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tregojnë se deputeti socialist, Ulsi Manja i kërkonte Çukos transferimin e një punonjësi të policisë së burgjeve nga Kruja në Tiranë dhe një çështje të ngjashme diskuton edhe deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu.
Blerina Gjylameti përmendet në një bisedë të Çukos me një person të tretë për ndërhyrjen në punësimin e një personi të lidhur me Partinë Socialiste, ndërsa Paulin Sterkaj ankohet për transferimin e një policeje me origjinë nga Tropoja, nga burgu 313 te “Ali Demi”.
Zonja Spahiu, deputete e qytetit të Durrësit shpjegoi se e kishte telefonuar Çukon për një rast, që sipas saj ishte transferuar politikisht nga Durrësi.
“Ai ishte me prindër të sëmurë dhe punonte shumë larg banesës së tij. Ai kërkonte të drejtën e tij, pasi ishte transferuar vetëm për shkak të bindjeve të majta,” tha Spahiu duke shtuar se nuk është e sigurtë nëse transferimi u bë.
Edhe zoti Sterkaj pohoi se i ishte drejtuar Çukos për t’i përcjellë një ankesë mbi transferimin e padrejtë të një punonjëseje të policisë së burgjeve.
“Sa herë marr ndonjë ankesë, unë reagoj sa është e mundur. Pastaj është çështje e institucioneve nëse veprojnë ose jo,” tha zoti Sterkaj, duke shtuar se punonjësja në fjalë ishte edhe “e djathtë”.
“Unë shqetësohem për hallet e njerëzve sa herë shoh padrejtësi, pa pyetur nëse janë të majtë ose të djathtë. Ne kaq kemi në dorë, se të tjerat i ka kryeministri,” shtoi më tej Sterkaj.
Deputetja Gjylameti tha se nuk komentonte “çështje që janë në hetim nga Prokuroria”.
Njësoj u përgjigj edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
“Nuk mund të komentoj të dhëna të dala nga një hetim penal në proces, që përbën sekret hetimor përsa kohë nuk janë shprehur organet kompetente,” tha Manja.
Farsa e konkurseve
Sistemi i burgjeve në Shqipëri përbëhet nga 23 institucione të vuajtjes së dënimit dhe numëron një numër të konsiderueshëm punonjësish, si në radhët e policisë ashtu edhe në administratë. Për të dyja kategoritë, procedurat e rekrutimeve kryhen përmes konkurseve publike.
Megjithatë, një konkurs publik për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët e Partisë Socialiste dhe njerëzit e lidhur me pushtetin.
Konkursi publik për policë të rolit bazë u shpall në fund të marsit të kaluar dhe synonte të rekrutonte mbi 250 punonjës për 17 institucione të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Testimi u krye më 3 prill dhe thirrjes iu përgjigjën mbi 1300 kandidatë.
Por përtej fasadës, ish-drejtori Çuko ankohej në mesin e muajit prill se fituesit ishin bllokuar nga kryeministri dhe se të gjithë kandidatët u përkisnin listave të Partisë.
“O Gerti, gjithçka është e bllokuar nga kryeministri dhe nuk e di kur do të zhbllokohen,” thoshte Çuko më 14 prill. “Unë pres që nesër pasnesër të më thotë sa veta do fusësh nga 1 te 250. Unë s’e di ç’do të thotë ai tani,” shtohet aty.
“Ki parasysh që Lushnja nuk ka asnjë vend bosh, Fieri ka 20 vende dhe kanë sjellë 200 veta. Testimi këtë herë u bë me 1358 veta dhe të gjithë ishin listat e partisë. E kishin të qartë ata, hajt se po i fusim në burgje,” shprehet Çuko sipas transkriptit të bisedës.
Përgjimet nxjerrin gjithashtu në pah manovrat e kryera me testimet, ku rezultatet manipulohen për të favorizuar kandidatët e servirur përmes kanaleve partiake. Në përgjigje të një kërkese për të punësuar një person të lidhur me Partinë Socialiste, Çuko shpjegon se si do ta nxirrte atë fitues.
“Do bëjmë dhe procedurën gjasme fitoi kjo, humbën këta të tjerët. Më kanë ardhur 217 veta, gjasme me konkursin e famshëm publik,”thotë ai.
Episodet e dosjes së zotit Çuko nuk janë të parat në sistemin e Burgjeve, dhe as në administratën publike në tërësi. Në qershor 2017, pak para zgjedhjeve të përgjithshme, Ministria e Drejtësisë denoncoi funksionarë të LSI-së në Shkodër për punësime fiktive në burgun ende të papërfunduar në atë kohë të Reçit.
Ndërsa në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil i dorëzoi Kuvendit një raport, sipas së cilit 1/3 e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit.
/Zëri i Amerikës/