Zv/kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të parlamenteve të BE në Palma de Majorka
Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Felaj Valikaj mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të parlamenteve të BE në Palma de Majorka, Spanjë
Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Felaj Valikaj, mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të parlamenteve të BE-së të mbledhur në Palma de Majorka, Spanjë, në kuadër të përmbylljes së presidencës spanjolle të BE-së.
Konferenca adresoi përballimin prej Bashkimit Evropian të sfidave të reja për demokracitë liberale.
Konferenca u përshëndet edhe nga Madhëria e Tij, Mbreti i Spanjës Felipe VI dhe kryetarët e dy dhomave të parlamentit spanjoll.
Në Konferencë e morën fjalën kryeparlamentarë të vendeve të BE-së, të cilët sollën përvojat e parlamenteve të vendeve anëtare për çështjet që u diskutuan.
Në fjalën e saj në Konferncë, znj. Felaj u shpreh se “Europa e bashkuar është një aset i pazëvendësueshëm përballë sfidave të reja të demokracive liberale, politikave të reja të mbrojtjes dhe sigurisë. Shqipëria është e vendosur në përshpejtimin e integrimit europian, pas përmbylljes me mjaft sukses të procesit të screening. Shqipëria është gjithashtu një faktor i zhvillimit, demokratizimit, bashkëpunimit dhe integrimit europian të rajonit. Bashkimi Europian është destinacioni ynë i përbashkët dhe për këtë Shqipëria do të vijojë rrugën e avancimit e thellimit të reformave zhvillimore, demokratizuese dhe integruese.”