Zgjatja e hetimeve për Metën, reagon ashpër Berisha: Do të përgjigjen për këtë vendim

Sali Berisha, ka reaguar ashpër në lidhje me zgjatjen e hetimeve për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Për kreun e PD-së, Meta po mbahet në burg pa prova. Ai ndër të tjera u shpreh se do të përgjigjet për këtë vendim.
”Vendimi i fundit për të mbajtur në burg kryetarin e Partisë së Lirisë, partisë së dytë më të madhe opozitare, është një akt politik, kriminal që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta. Që dëshmon papajtueshmërinë e tij, intolerancën absolute atërore ndaj opozitës dhe opozitarizmit. Ilir Meta u burgos në mënyrë brutale, pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të vetëm të Edi Ramës. Ilir Meta u mbajt dhe mbahet në burg si person në hetim pa asnjë provë, asnjë fakt penal.
Dorëzojnë dosje në gjykatë pa fakt penal dhe vendosin t’i zgjasin edhe 6 muaj hetimet dhe për këtë qëllim duhet mbajtur në burg. Nuk ka kufi urrejtja e Edi Ramës për kundërshtarin politik. Duke shprehur solidaritetin e plotë me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dënoj me forcën më të madhe vendimin e fundit, do përgjigjen për këtë vendim”, tha Berisha.