Zgjedhjet 2017, Meta: Partitë të konkurrojnë me sa më shumë intelektualë dhe akademikë
Universiteti i Tiranës dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë nënshkruar një memorandum ditën e sotme, për zgjerimin e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve.
Duke theksuar se bashkëpunimi mes Kuvendit dhe UT ka ekzistuar edhe më parë, Ilir Meta tha sot se ky bashkëpunim do të marrë një trajtë më të zgjeruar, duke shtuar se tashmë do të jetë institucional.
“Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, pavarësisht se jo shumë të institucionalizuar. Ne kemi pasur bashkëpunim për reformën në drejtësi. Kjo përvojë duhet të jetë e programuar në mënyrë më të qartë pasi edhe Kuvendi ka nevojë për më shumë analizë, kërkime në vendimmarrje shumë të rëndësishme”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit ka siguruar të gjithë studentët, të cilët kërkojnë të bëjnë praktikën pranë këtij institucioni janë të mirëpritur, duke iu siguruar të gjitha kushtet e nevojshme që u duhen.
Meta nuk ka harruar pa u bërë thirrje edhe partive politike, ku ka kërkuar që të kenë më shumë përfaqësuese me pedagogë dhe akademikë.
“Padyshim që dyert e Kuvendit kanë qenë të hapura, por do të jenë edhe më të hapura për studentët që duan të bëjnë praktikën në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe politika sa më të mençura. Do të dëshiroja që të gjitha forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të përfaqësohen sa më shumë me pedagogë, intelektualë e akademikë”, theksoi Meta.
KOHA JONË SONDAZH

