Zgjedhjet/ Kaso: Beteja ligjore sapo ka filluar, të gjitha krimet zgjedhore do të dënohen

Sekretari juridik pranë Partisë Demokratike, Ivi Kaso, komentoi zhvillimet e fundit në kampin blu, e cila ka nisur një betejë ligjore për zgjedhjet e 25 prillit, ku dhe ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve për 9 qarqe.

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, shprehet se në KQZ kanë bërë kërkesë për pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjes në 9 qarqe, pasi sipas tij janë bërë shkelje ligjore që kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve.

“KQZ të shqyrtojë të gjitha pretendimet e subjekteve zgjedhore, në garën  zgjedhore  në lidhje me  çdo shkelje, qofshin të natyrës strikte të menaxhimit dhe të procesit zgjedhor por edhe të natyrave të tjera që kanë shkaktuar një masë të tillë paligjshmëria që kanë ndikuar në shpërndarjen  e mandateve. Është pikërisht ky thelbi I kërkesës  tonë paligjshmëria e një sërë veprimesh të cilat janë përdorur për efekte elektorale në zona të caktuar. Kërkesa jonë për pavlefshmëri dhe urdhërimi për ripërsëritje e zgjedhjeve në këto zona është e drejtë e jona e garantuar nga Kolegji zgjedhor.

Ato shkelje të ligjit kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve. Shkeljet  janë të shumëfishta dhe të mëdha në masë, si dhe janë të përqendruar në zona të ndryshme dhe sigurisht ka pasur ndikim të madh në këto zona. “

Ai thotë se parregullsitë që kanë hasur gjatë procesit zgjedhor ua kanë përcjell edhe ndërkombëtarëve, teksa shton se do të jetë ODIHR që do të japë fjalën e fundit së si ka ecur procesi i zgjedhjeve në vendin tonë.

“Parregullsitë që ne kemi konstatuar ua kemi përcjell edhe ndërkombëtarëve pasi kanë qenë vetë ata që kanë qenë të interesuar pranë forcave politike,  për mbarëvajtjen e ecurinë e procesit zgjedhor, por edhe kemi qenë në një proces konstant edhe në bashkëpunimin për të përmirësuar cilësinë e proceseve përgatitore të këtyre zgjedhjeve. Për ndërkombëtarët një proces zgjedhor i përfunduar në pamje të parë i qetë, përbën një lajm dhe është për t’u komentuar. Raporti përfundimtar që përbën një vlerësim serioz që merret për bazë është misionin i ODIHR, është ky mision që ka fjalën e fundit.”

Kaso thekson se beteja ligjore sapo ka filluar, sakaq thotë se Partia Demokratike do të futet në Parlament në shtator për t’u përballur me një sistem që sipas tij duhet të çmontohet sa më parë.

“Aktualisht jemi në fazën e hedhjes dritë mbi çdo aspekt  të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Është një fazë ku beteja ligjore sapo ka filluar. Nesër do filloj shqyrtimi i ankimeve të para të paraqitura në KAS dhe do shohin parregullsitë për secilin qark, që fillimisht do të shqyrtohen në KQZ. Nuk kemi pritshmëri të larta mbi përfundimin e këtij procesi, pasi kemi parë vullnetin e mazhorancës ndaj vullnetit të institucioneve që menaxhojnë procesin zgjedhor por është një proces që ka për të hedhur dritë mbi shumë aspekte.

E kemi parë pjesëmarrjen në parlament si një moment përballje në një sistem që duhet ta çmontojmë një orë e më para.”  

SHKARKO APP