Zgjedhjet lokale të 14 majit/Mazniku: Garën e kemi me veten për standarde më të larta për qytetin

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku thotë se socialistët e kanë garën me standardet dhe aspiratën që kanë për qytetin, në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Duke folur në ”Report Tv”, Mazniku u shpreh se nuk kanë bërë asnjë herë llogarinë mes tyre dhe kundërshtarit, por raportin që kanë me qytetarin.

“Ne kemi pasur një garë sistematike me standardet dhe aspiratën që ne kemi për qytetin. Dhe kemi bërë në mënyrë të rregullt një llogari që është llogaria midis nesh dhe raporti që kemi me qytetarin. Nuk kemi bërë asnjëherë llogarinë midis nesh dhe llogarinë që kemi me kundërshtarin. Ne besojmë se nëse i shërbejmë njerëzve si duhet, siç besojmë se i kemi shërbyer dhe shkojmë për t’i kërkuar besimin për të vazhduar për t’i shërbyer do ishim të privilegjuar nëse njerëzit do na e rijepnin këtë besim. Ky është raporti jonë. Nuk ka të bëjë shumë me kundërshtarin. As nëse vjen nga grata dhe non grata. Ky është një raport që as nuk e bëjmë dhe as nuk na pëlqen ta bëjmë”, deklaroi Mazniku.

Mazniku komentoi edhe deklaratat për çmimet e apartamenteve në Tiranë. Mazniku u shpreh se ritmi i rritjes së çmimeve në kryeqytet është në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit, duke paralelizuar edhe me standardin në vendet e tjera të rajonit.

“Çmimi mesatar në Tiranë është te vlera 1200 euro. Ky çmim mesatar i matur nga Banka e Shqipërisë në 12 vitet e fundit ka lëvizur 34%. I njëjti çmim për të gjithë anëtarët e BE ka lëvizur 50%. Ritmi i rritjes së çmimeve në Tiranë është pak më i ulët se në BE. Rritja është në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Në krahasim me Beogradin, Shkupin dhe Zagrebin nuk është më i lartë. Nuk është detyra jonë si bashki të gjykojmë sa shtrenjtë do bëjë dikush objektin dhe sa shtrenjtë do e shesë. Tirana ka disa grupe të asaj që quhet çmimi i referencës së zonave të ndryshme të saj”, tha me tej Arbian Mazniku.

SHKARKO APP