Zgjedhjet në Dibër, KQZ nis trajnimet e komisionerëve të 118 KQV dhe 16 GNV
Kur na ndajnë 5 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Dibrës, institucioni më i lartë zgjedhor në vend do të nisë trajnimet e të gjithë anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) dhe Grupeve të Numërimit të Votave (GNV). Përmes një deklarate për mediat zëdhënësja Drilona Hoxhaj bëri me dije se KQZ-ja në kuadër të zgjedhjeve të 11 shtatorit do të kryejë sesione trajnimi për anëtarët e 118 KQV dhe 16 GNV të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr.19.
Sa i përket agjendës së përcaktuar nga KQZ-ja sesionet e trajnimit të Komisionerëve të QV-ve do të zhvillohen në datat 7-9 shtator 2016, në Bashkinë Peshkopi dhe në 10 njësi administrative, në ambientet e shkollave, të vëna në dispozicion nga DAR Dibër. Oraret e sesioneve të trajnimit janë; paradite: 09.00- 13.00, dhe pasdite nga ora 14.00- 18.00. Zhvillimi i sesioneve të trajnimit disa ditë para ditës së zgjedhjeve, dhe përzgjedhja e fshatrave-qendër për njësitë administrative të largëta, synojnë efektshmërinë e trajnimit të komisionerëve dhe shmangien e pengesave për pjesëmarrje.
Në funksion të mbarëvajtjes të proçesit zgjedhor, ku padyshim profesionalizmi i komisionerëve zgjedhorë është i një rëndësie të veçantë, dhe detyrim ligjor, KQZ i kërkon partive politike të kryejë njoftimet për burimet njerëzore të emëruar sipas propozimeve të tyre për komisionerë të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe anëtarë të Grupeve të Numërimit të Votave, për të marrë pjesë në trajnim në respektim të përcaktimeve të skemës së trajnimit, e cila i’u është dërguar edhe në rrugë zyrtare.
Skema e trajnimit do të jetë jetë e publikuar edhe në faqen zyrtare te internetit të KQZ-së.
Trajnimi i Grupeve të Numërimit të Votave do të bëhet ditën e shtunë, datë 10 Shtator, në ambientet e Shkollës së Mesme Profesionale “Nazmi Rushiti”, Peshkopi, në oraret 9:00-13:00, dhe 14:30-18:00.
KOHA JONË SONDAZH

