
Kandidati demokrat, Joe Biden është një hap më shumë drejt Shtëpisë së Bardhë. Sipas projeksioneve, kandidati demokrat ka fituar Uiskonsin dhe Miçiganin, duke arritur vlerën e 264 vota zgjedhore, nga 270 që nevojiten për të siguruar presidencën. Demokrati duhet ende të fitojë Nevadën dhe Arizonën, ku vijon të kryesojë.
Gjatë pasdites ish-numri dy i Barack Obama-s u shfaq së bashku me zëvendësen e tij, Kamala Harris, duke thënë se pasi të numërohen të gjitha votat, fitorja e tyre do të ishte e qartë.
”Pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë se ne po fitojmë mjaftueshëm shtete për të siguruar 270 votat e nevojshme zgjedhore. Nuk jam këtu për të shpallur fitoren, por për të thënë se kur numërimi të përfundojë ne besojmë se do të jemi fituesit”, u shpreh Biden.
Biden ripërsëriti mesazhin e tij gjatë fushatës se nëse do të zgjidhet do të jetë president i të gjithë amerikanëve. Rezultatet përfundimtare të Miçiganit dhe Nevadës me shumë gjasë do të mësohen sot, ndërsa Pensilvania do të numërojë deri të premten në 6 nëntor. Trump është ende në garë, por duhet të tejkalojë Biden në Nevada dhe Arziona, e të fitojë gjithashtu Xhorxhan, Pensilvaninë dhe Karolinën e Veriut ku është në avantazh.
