Zgjidhet kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, PD: Akt banditesk
Këshilli i Qarkut të Kukësit për herë të parë në historinë e tij do të drejtohet nga të majtët.
Sot anëtarët e rinj të këtij këshilli kanë konstituuar këtë organ vendimmarrës dhe me shumicë votash është zgjedhur kryetari i ri i tij, Abedin Oruci.
Në seancën e konstituimit, kanë qenë të pranishëm vetëm anëtarët e majtë të këtij këshilli, të cilët kanë debatuar me sekretarin e Këshillit të Qarkut, i cili ka kërkuar mosvazhdimin e mbledhjes, për shkak të mosqënies i pranishëm kryetari i bashkisë qendër, më të madhe në qark.
Ndaj zgjedhjes së kryetarit të ri të Këshillit të Qarkut kanë reaguar edhe të djathtët, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm fare në mbledhje, duke e konsideruar zgjedhjen e Orucit si një akt banditesk dhe të jashtëligjshëm.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Arif Rexhmati tha se votimi i sotëm është nul, duke qenë se cështja e 4 mandateve të këshillit bashkiak të Kukësit që e përfaqëson këtë organ në Këshillin e Qarkut është në proces gjyqësor.
Rexhmati shtoi se votimi i sotëm është shoqëruar me akte dhune, ndaj sekretarit të Këshillit të Qarkut, ndërkohë që zgjedhja e Orucit është një vetëzgjedhje.
Ai ka akuzuar kryetarin e ri, të zgjedhur, se ka dhunuar edhe zyrën e kreut aktual të Qarkut, ndërkohë që ka paralajmëruar se e djathta nuk do ta njohë Orucin dhe kryesinë e re të Këshillti të Qarkut.
KOHA JONË SONDAZH

