Zhvlerësimi i euros, Banka e Shqipërisë: Respektoni lekun, Ministria të ndalojë pagesat në valutë
Banka e Shqipërisë, thotë se brenda vendit çdo pagesë të bëhet me monedhën kombëtare. Zv/guvernatorja e parë Luljeta Minxhozi shprehet se luhatjet në kursin e këmbimit vijnë si rezultat i të hyrave valutore, por ndikim po jep përdorimi masiv i euros për pagesa në vend. Ky përdorim i pakufizuar i euros për pagesa nga dyqanet e vogla deri për transaksione për blerje pasurish e nxjerrë jashtë kontrollit tregun valutor.
“Problemi është që ekonomia shqiptare në tregjet e brendshme duhet të përdori monedhën kombëtare. Përdorimi i pakufizuar i euros shkakton faktor ekonomik që nuk janë në kontroll as të bankave, as të bizneseve dhe as të bankave qendrore. Brenda vendit është mirë që marrëdhëniet ekonomike të bazohen në monedhën kombëtare”, pohon Minxhozi për Report Tv.
Ajo pohon se edhe operatorët turistik duhet të heqin dorë nga reklamimi i ofertave në euro, por të promovojnë dhe përdorin monedhën Lekë. “Nëse reklamat bëhen në lekë shqiptar, nëse ofertat e turizmit bëhen në lekë shqiptar, nëse çmimet nëpër resorte vendosen në lekë, natyrisht turistët do respektojnë monedhën tonë siç bëjmë ne. Është e gjitha në dorën e institucioneve shqiptare ta forcojnë përdorimin e Lekut”.
Do propozojë Banka e Shqipërisë kufizimin e përdorimit të Euros për pagesa në vend? Minxhozi thotë se një vendimmarrje e tillë i takon Ministrisë se Ekonomisë. “Është në dorë të Ministrisë së Financave që është zotëruesja e Monedhës kombëtare dhe e të gjitha aktiviteteve ekonomike, që të mund të nxjerrë disa rregullore për të forcuar përdorimin më shumë të monedhën kombëtare”, thotë Minxhozi.
Luhatjet në tregun valutore do të jenë të pranishme edhe përgjatë 2025-ës, dhe e vetmja mënyrë për stabilitet të përkohshëm janë blerjet e euros nga Banka e Shqipërisë. Euro e mbylli 2024-ën duke u këmbyer me 98 lekë, vlera më e ulët historike nga 104 lekë që ishte në fund të 2023-shit. Ky zhvlerësim i euros ka dëmtuar ndjeshëm eksportuesit sidomos ata të industrisë fasonë.