Zjarri te pallati pranë QSUT, kreu i PD, Sali Berisha: Qeveria po mbron ndërtuesin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sërish sot lidhur me çështjen e zjarrit që ra para pak ditësh në një pallat pranë QSUT-së.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, duke iu referuar deklarata të Kryeministrit Rama sot në podkastin Flasim, Berisha i cilësoi komentet si “monolog mashtrimi”, duke e akuzuar atë për qëndrime kontradiktore dhe për mbrojtje të interesave të ndërtuesve. Sipas tij, Kryeministri njëherazi mohon përgjegjësinë e ndërtuesit për zjarrin, ndërsa nga ana tjetër i ngarkon atij rindërtimin e objektit.
“Si mund ta deklarosh se ndërtuesi nuk ka përgjegjësi për zjarrin dhe njëkohësisht ta ngarkosh atë për ndërtimin e pallatit? Kjo tregon lidhje të pazgjidhshme me ndërtuesit”, u shpreh Berisha, duke përmendur konkretisht emrin e ndërtuesit Armando Lilo.
Kreu i opozitës ngriti shqetësimin për menaxhimin e situatës së emergjencës, duke akuzuar institucionet vendore dhe qendrore, përfshirë edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, për mungesë reagimi efektiv, pasi sipas tij, zjarrfikëset nuk arritën të ndërhynin në kohë në zonën e prekur.
Në fjalën e tij, Berisha kritikoi qeverinë për politikat ndaj veriut të vendit. Berisha akuzoi qeverinë për diskriminim rajonal, duke pretenduar se investimet në veri kanë qenë minimale krahasuar me zona të tjera. Ai përmendi gjithashtu ndërhyrjet në zona si Thethi, duke i cilësuar ato si veprime me prapavijë politike.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë protestat, duke i cilësuar ato si një “kryengritje paqësore” për largimin e qeverisë aktuale nga pushteti.
KOHA JONË SONDAZH

