“Zotit iu deshën gjashtë ditë të ndërtojë botën”, Kryemadhi: Më 25 prill votoni LSI-në, të ndryshojmë Shqipërinë
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nga Saranda, deklaroi se qytetarët duhet të votojnë LSI-në, me qëllim që t’i japin më shumë shanse vetes dhe qytetarëve për jetë më të mirë në vendin tonë.
Kryemadhi thekson se më 25 prill duhet të votohet LSI, që të ndërtohet Shqipëria.
“Problemet janë pa fund. Ju si qytetarë mund të bëni zgjidhjet e duhura. Ju e dini shumë mirë se çfarë ndodh me bizneset tuaja, me gjithçka që ka të bëjë me votën tuaj. Data 25 prill është veprim për të ardhmen e fëmijëve dhe djemve e vajzave për të gjithë shqiptarët.
Më 25 prill kërkojmë ndryshimin. Zotit iu deshën 6 ditë që të ndryshojë botën, numri 6 do ndryshojë Shqipërinë. Unë besoj në Zot dhe kjo më ka dhënë paqe. Me Sarandën fantastike, ne duhet të kishim turizëm gjithë vitin. Ne do ndryshojmë gjithçka në Sarandë dhe në Shqipëri. Më 25 prill, Shqipëria do bëhet shtëpia e shqiptarëve. Gëzuar Pashkët. Do sjellim atë jetë të re, që shqiptarët e ëndërruan më 1990”, u shpreh Kryemadhi.
Fjala e plotë e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi:
Faleminderit Luan. Do doja t’i kthehesha asaj që tha Gjergji pak më përpara, sepse nuk është se ma vrau veshin, por më erdhi si një muzikë e valëve të detit, kur tha Lilo, Evi, Ana, Taqo. Pra emrat e sarandjotëve, emrat e qyteteve të shkurtuara, me melodinë e gjuhës sa të ashpër ndonjëherë, por edhe melodioze për të gjithë ju sarandjotët këtu. Dhe kjo melodi që në vetveten e saj ka atë bukurinë natyrore që ndërthuret me bukurinë shpirtërore.
Unë në fushatat e mia të 2013, 2015 dhe 2017 kam pasur vajza dhe djem nga Saranda në ekipet e mia, që kanë qenë studentë të jashtëzakonshëm, të mrekullueshëm, studentë ekselentë, siç është Kotja, ne i themi Kotja i madh se ka dhe Koten e Vogël, Stefani, që fitonte gjithmonë garat e notit, Resjana kaçurrelsja, Eldisa që tashmë është nënë me fëmijë, Aleksandri, Melina, e të gjithë djemtë dhe vajzat, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë një energji dhe pozitivitet i jashtëzakonshëm.
Të flasësh për Sarandën mua nuk më takon të flas, sepse Saranda është e juaja, Saranda është e sarandjotëve. Ashtu siç foli Joana për Ksamilin, ku problemet e Ksamilit, tek diskutonim kur vinim, ishin të jashtëzakonshme, që tek prona, tek mungesa e administrimit të Bashkisë po themi në Ksamil dhe e kanë lënë si xhep, sepse ndarja e re administrative i nxori jashtë loje njësitë administrative apo bashkitë, të cilat për hir të së vërtetës janë të pamenaxhueshme dhe janë kthyer tashmë në problematika për qytetarët e tyre. Për të mos vazhduar për liqenin e jashtëzakonshëm të Butrintit, ku është bërë oligarku i peshqve, i midhjeve, i çdo gjëje të gjallë që jeton në ujë, vetëm Posedon nuk është, Gjergj Luca. Sepse nuk kishte sarandjotë, nuk kishte djem dhe burra nga Ksamili apo kudo që të ishin, për të mbikëqyrur, punuar apo jetuar në ujërat e kësaj zone.
E pra problemet janë pafund dhe më mirë se vetë ju, jo vetëm për t’i evidentuar, por edhe për t’i zgjidhur, nuk mund t’i bëjë dot kush tjetër. Ne kemi diskutuar gjithmonë për problematikat që ka Saranda, për problematikat e menaxhimit të të gjithë vijës bregdetare, ku ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur me tokat tuaja. Ju e dini shumë mirë se çfarë ndodh me bizneset tuaja. Ju e dini shumë mirë se çfarë ndodh çdo ditë me njësitë administrative, jo vetëm të Bashkisë së Sarandës, por edhe më tutje, në Delvinë, në Konispol, në Finiq, në Ksamil e kudo.
25 prilli për ne është shumë i thjeshtë. Nuk është thjesht një datë, nuk është thjesht një votë, por është një veprim. Është një veprim, i cili është për të ardhmen e të gjithë fëmijëve, djemve dhe vajzave, jo vetëm të sarandjotëve, por të gjithë shqiptarëve. Ne kërkojmë më 25 prill ndryshimin. Ndryshimi është në mendjet dhe zemrat tona dhe tashmë ne duhet ta bëjmë realitet, duke vajtur dhe duke votuar, duke votuar për numrin 6, atë që tha dhe Gjergji, që Zotit iu deshën 6 ditë për ta bërë botën. Normalisht 6 ditë janë shumë pak, por numri 6 është shumë për ta ndryshuar dhe për të sjellë mirësinë dhe begatinë në Shqipëri.
Unë besoj në Zot dhe besimi në Zot më ka dhënë paqen, më ka dhënë qetësinë, më ka dhënë dhe mundësinë për të kontaktuar dhe biseduar me njerëzit dhe për të kuptuar vërtetë se çfarë duan njerëzit. Dhe njerëzit nuk duan asgjë më shumë se duam të tregojmë herë pas here ne politikanët. Njerëzit duan të jetojnë në shtëpitë e tyre, të lirë, duan të jetojnë me fëmijët e tyre. Duan të shikojnë nipërit dhe mbesat, si lindin dhe si rriten. Duan të shikojnë begati dhe mundësi pa fund. Sot unë nuk e mendoja që do të ishim kaq shumë veta, se nuk e mendoja që Saranda në këto ditë do të kishte kaq shumë njerëz. Por në fakt është fatkeqësi e madhe edhe pse është ditë e zymtë, sezoni turistik në Shqipëri ndodh vetëm në korrik dhe gusht. Kur në fakt me ato mrekulli që na ka dhënë Zoti, me atë parajsë, me detin, me malet, me diellin, ne duhet të kemi gjithë vitin sezon turistik. Dhe jo të vuajnë kompanitë turistike për të sjellë turistë këtu sepse e kanë të pamundur që bizneset këtu të hapin hotele, t’u shërbejnë turistëve.
Sepse selektimi politik që bëhet është edhe këtu në vijën e mrekullueshme të Sarandës. E pra ne duhet t’u japim fund dy standardeve për biznesin, për turizmin, për detin, për liqenin, për shkollën, për spitalin, për faturat e ilaçeve të cilët ata që kanë mundësi për t’i paguar, ti paguajnë dhe ata që nuk kanë mundësi për të mos ti paguar, t’i paguajnë. Kjo është mundësia jonë. Numri 6 dhe më 25 prill për të shkuar për të votuar për ndryshimin, për LSI. Ju e dini shumë mirë që vota për LSI është një votë e cila është për ta bërë Shqipërinë, shtëpinë e shqiptarëve dhe unë besoj që Shqipëria do të bëhet shtëpia e shqiptarëve dhe është ajo që tha dhe Evertoni qe ta çojmë Ramën në Bangladesh dhe ti mbajmë shqiptarët, tu japim shansin dhe mundësinë shqiptarëve të punojnë në Shqipëri, të punojnë me punë të mirëpaguar, të kenë mundësinë e arsimimit, të kenë mundësinë e rritjes profesionale, të kenë mundësinë e zhvillimit sepse shanset dhe mundësitë janë pafund. Ashtu siç përmendi dhe Gjergji për Xarën, ashtu siç është gjithë kjo vijë bregdetare e mrekullueshme, ashtu siç përmendi Joana liqenin e Butrintit dhe Ksamilin, ashtu sic Evi thotë për Delvinën, të gjitha bashkarisht janë mundësi dhe janë shanse për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Zoti ju ruajt ju, Zoti ju ruajt familjet tuaja. Sot si natë Pashkësh që është për besimtarët katolikë, përfitoj nga rasti dhe për ti uruar të gjithë besimtarët katolikë në gjithë Shqipërinë.Kështu që ringjallja do të sjellë dhe ringritjen e shqiptarëve se na ka zënë frika me këtë fjalën Rilindje por do të sjellë atë mundësi, atë jetë të re për të cilët gjithë shqiptarët, ashtu siç tha Gjergji, në vitet 90 ëndërruan për të sjellë ndryshimin dhe për ta bërë Shqipërinë Europiane.
KOHA JONË SONDAZH

