Zv/kryeministrja Balluku: Korridoret paneuropiane, përfitime ekonomike për zonat ku kalojnë

Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë fjalës në seancë plenare, tha se investimet në infrastrukturën rrugore që përshkojnë Shqipërinë nga veriu në jug dhe nga perëndimi në lindje u japin përfitime ekonomike edhe zonave ku kalojnë. Duke iu përgjigjur deputetit të PD-së, Flamur Hoxha, i cili kërkoi përmes një amendamenti në buxhet trefishim të fondeve të mirëmbajtjes së rrugëve, Balluku tha se po ndërtohen rrugë të kategorive “A” sikundër edhe rrugë alternative.

”90% e buxhetit të vendosur në drejtim të infrastrukturës rrugore janë projekte në vazhdim. Kërkesa juaj do të bënte që shumë nga këto projekte të mos përfundonim apo të krijonim detyrime të prapambetura. Por prej kohësh kemi marrë angazhimin që debitet e trashëguara ndër vite apo që krijohen gjatë vitit, i mbyllim duke u dhënë mundësi kantiereve që të përfundojnë”, tha ajo. Balluku tha se nuk mund të flasim për zona të braktisura, pasi zonat sot kanë akses shumë më shumë se kishin 5 apo 10 vite më parë.

”Po ndërtohen korridore paneuropiane Korridori Blu dhe Korridori 8, njëri që përshkon Shqipërinë nga veriu në jug në Ultësirën Perëndimore dhe tjetri nga perëndimi në lindje, si pjesë e korridoreve paneuropiane dhe duke i dhënë mundësinë e ndërlidhjes veriut me jugun dhe Malit të Zi me Shqipërinë dhe më pas me Greqinë. Të gjitha këto janë projekte të cilat japin përfitime ekonomike edhe zonave ku kalojnë. Mos harroni që sot kemi rrugë të cilat plotësojnë kushtet e kategorive “A” europiane të autostradave dhe nga ana tjetër edhe rrugë alternative”.

SHKARKO APP