PS ka përgjuar edhe diplomatët. Patronazhistët (fuksat) pushtojnë shtypin botëror: BIG Brother përgjimesh në Shqipëri
Një BiG Brother gjigand përgjimesh i organizuar nga partia në pushtet për qëllimet e saj elektorale. Kështu ka filluar ta etiketojë shtypi botëror skandalin e zbuluar nga Lapsi.al me survejimin e 910 mijë qytetarëve të Tiranës.
“Shqipëria është shokuar nga skandali i Big Brother ku të dhënat private dhe përkatësitë politike të qindra mijëra votuesve janë mbledhur në një bazë të dhënash në dispozicion vetëm të partisë në pushtet”, shkruan gazetari hollandez, Jarl van der Ploeg. Në një shkrim të gjatë në gazetën “De Volkskrant“, që e lidh këtë ngjarje me zgjedhjet e 25 prillit ai thotë: “Baza e të dhënave thuhet se është rritur veçanërisht kur shqiptarët ishin të detyruar të plotësonin formularët online gjatë mbylljes në shtëpi pëë shkak të koronës për të shkuar, për shembull, në supermarket”.
Po të njëjtën temë ka gjykuar si super interesante edhe gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung. Në artikullin e gazetarit, Volker Pabst nënvizohet se me dy mandatet e Ramës shpresat e para 8 vjetëve se ai do të reformonte Shqipërinë janë shuar. Aty i bëhet një analizë mënyrave se si rilindja i ka manipuluar zgjedhjet, duke përmendur përgjimet e Bild për votimet e Durrësit dhe Dibrës, dhe jepen shembuj të rritjes së tendencave autoritariste për të goditur mediat e pavarura. Përpos rastit të mbylljes së Agon Channel e përditshmja i kushton vëmendje edhe scoop-it të Lapsi.al. “Edhe pas skandalit të fundit, Rama kundërsulmoi menjëherë dhe akuzoi portalin Lapsi.al se ka manipuluar të dhënat. Media on line zbuloi se partia e tij mban listat e informacionit personal për 910,000 votues që mund të përdoren për të ndikuar tek ata. Disa shqiptarë ndihen të frikësuar sepse kujtojnë metodat e frikshme të policisë sekrete komuniste, Sigurimit të shtetit” shkruan gazetari Volker Pabst.
Ringjalljen e fantazmave të së shkuarës pas këtyre zgjedhjeve që shumëkush i interpreton si përpjekje për instalimin përfundimtar të një rregjimi e ka cekur edhe gazeta hollandeze, “De Volkskrant”. “Ajo që e bën çështjen tepër të ndjeshme është se diktatura komuniste, e cila drejtoi Shqipërinë deri në 1992, përdori një sistem të ngjashëm patronazhi me një total prej 14,000 spiunësh që vëzhgonin popullsinë. Zgjedhjet e së dielës janë të dhjetat që nga heqja e asaj diktature dhe, për shkak të këtij numri simbolik, duhet të jenë për të ardhmen, në vend të së kaluarës” thotë gazetari, Jarl van der Ploeg.
“Të dhënat e rreth gjashtëqind punonjësve të ambasadave të huaja në Tiranë, përfshirë personelin e ambasadës Hollandeze, janë gjithashtu në bazën e të dhënave, shkruan faqja e lajmeve Lapsi.al. Lapsi ishte gjithashtu mediumi i parë që publikoi screenshots të bazës së të dhënave javën e kaluar. Ministria Hollandeze e Punëve të Jashtme pranon që lista përmban informacione personale të punonjësve të ambasadës dhe e quan ekzistencën e bazës së të dhënave “shqetësuese”. “Punonjësit e ambasadës kanë raportuar ose do të raportojnë këtë,” tha një zëdhënës” shkruan ai në artikull.
Gazeta hollandeze vëren me çudi edhe faktit që në vend që të nisnin hetimet ndaj autoriteteve shtetërore organet e drejtësisë iu vërsulën gazetarëve që publikuan skandalin. “Ajo që nuk ndihmon është se që kur lajmi doli javën e kaluar, kryeredaktori dhe botuesi i faqes të lajmeve Lapsi.al u pyetën nga agjentët e shërbimit anti-korrupsion dhe u detyruan që të zbulojnë burimet e tyre. Por askush është marrë ende në pyetje në lidhje me skandalin nga Partia Socialiste”.
Gazeta holandeze shpjegon edhe mënyrën se si funksionon sistemi i patronazhistëve, survejimi që ata bëjnë dhe shënimet që lënë për qytetarët e përgjuar. Ponashtu si homologët e tyre zviceranë edhe gazetarët holandezë i kushtojnë paragrafë të tërë justifikimeve që ka dhënë kryeministri Rama dhe sulmeve të tij ndaj gazetarëve te Lapsi.al.