Pse SPAK nuk arreston ministrat e gjyqit Bechetti, ku shteti shqiptar humbi 110 milion euro?

-Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka para saj një rast flagrant të abuzimit me pushtetin, korrupsionit qeveritar dhe shpërdorimit të frikshëm të taksave të qytetarëve. Prokuroria duhet të nisë hetim që nga ministritë që nisën betejën me këtë media në vitin 2015, njerëzit e policisë dhe drejtësisë që kopsitën letrat e mbylljes së medias dhe deri të Avokatura e Shtetit që ka mashtruar publikisht.

-Shqipëria ka humbur në mënyrë përfundimtare gjyqin me biznesmenin italian Francesco Becchetti, për mbylljen e televizionit “Agon Channel” në vitin 2015 nga qeveria “Rama”. Gjykata e Arbitrazhit ka vendosur që shteti shqiptar të paguajë për llogari të biznesmenit italian 110 milionë euro. Qeveria “Rama” u padit për mbyllje të paligjshme të biznesit dhe sulm të motivuar politikisht ndaj një medie.  Dhe këtë shumë do ta paguajnë shqiptarët.

Shqipëria e ka humbur në mënyrë përfundimtare gjyqin me biznesmenin italian Francesco Becchetti, për mbylljen e televizionit “Agon Channel” në vitin 2015 nga qeveria “Rama”. Gjykata e Arbitrazhit ka vendosur që shteti shqiptar të paguajë për llogari të biznesmenit italian, 110 milionë euro. Vendimi ka ardhur pas disa vitesh proces gjyqësor, ku qeveria “Rama” u padit për mbyllje të paligjshme të biznesit dhe sulm të motivuar politikisht ndaj një medie.  Prej dy vitesh vendimi thuajse ishte i pritshëm, por kryeministri dhe ministrat e kabinetit “Rama” deklaronin se procesi nuk ka përfunduar dhe shteti shqiptar nuk do të paguajë asnjë lekë për biznesmenin italian. Ndërkohë dje, “Zëri i Amerikës” njoftonte se një komision i posaçëm i ngritur për të verifikuar procesin gjyqësor nuk ka gjetur asnjë shkelje në vendimin e gjykatës. Për pasojë, shteti shqiptar do të paguajë jo në lekë, por në euro plotë 110 milionë. Prej disa javësh kohësh avokatët e biznesmenit italian kanë nisur procedurat për të marrë paratë, fillimisht duke kërkuar bllokimin e aseteve që Shqipëria ka jashtë vendit. Paratë që po merren nuk janë të qeverisë dhe as të ministrave të Edi Ramës, por janë lekët e gjithë takspaguesve shqiptarë. Historia e “Agon Channel” është një skandal që do të kishte rrëzuar çdo qeveri në botë. Shkelja e parë dhe më flagrante ishte pa asnjë provë dhe asnjë argumentim ligjor u mbyll një media kritike ndaj qeverisë “Rama”. Duke aluduar se në këtë media pastroheshin para kriminale, policia dhe gjithë qeveria mbyllën një nga televizionet më premtuese të viteve të fundit brenda një jave. Asnjë prej dokumenteve të firmosur nga shefa policie, prokurorë dhe ministra, ku thuhej se në këtë media pastroheshin para nuk rezultoi e vërtetë. Akuzat nuk u  verifikuan në gjykatat shqiptare dhe as në ato ndërkombëtare. Për pasojë, mbyllja e kësaj medie mbetet një nga aktet më të hapura kundër lirisë së mediave nga kjo qeveri. Skandali tjetër në këtë histori ka të bëjë me gjobën. Sulmi i qeverisë ndaj medias dhe arroganca e pashoqe e ministrave kundër një televizioni ka një faturë të kripur prej 110 milionë eurosh. Këtë faturë nuk po e paguajnë njerëzit e drejtësisë që ju bindën urdhrave të qeverisë dhe as vet kryeministri dhe ministrat që e kthyen në një betejë personale çështjen e biznesmenit italian. Faturën po e paguajnë qytetarët shqiptarë, gjoba 110 milionë euro është një krim ndaj shtetit shqiptar.

Skandali me këtë histori bëhet edhe më i madh, pas fakteve që publikoi dje kreu i shtetit, Ilir Meta. Presidenti deklaroi se Avokatura e Shtetit, në një korrespodencë zyrtare, i ka deklaruar se gjyqi nuk është humbur nga shteti shqiptar. Në këtë rast kemi të bëjmë me një mashtrim institucional, ku dikasteri që merret me gjyqet ndërkombëtare të shtetit mashtron hapur duke mohuar faktet e padiskutueshme.

Çështja e 110 milionë eurove gjobë ndaj Shqipërisë nuk mund të mbyllet si një proces i thjeshtë. Pas këtij gjyqi janë një radhë e gjatë zyrtarësh, ministra, deputetë, drejtorë dhe zyrtarë të lartë të shtetit që kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët. Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) ka para saj një rast flagrant të abuzimit me pushtetit, korrupsionit qeveritar dhe shpërdorimit të frikshëm të taksave të qytetarëve. Prokuroria duhet të nisë hetim që nga ministritë që nisën betejën me këtë media në vitin 2015, njerëzit e policisë dhe drejtësisë që kopsitën letrat e mbylljes së medias dhe deri të Avokatura e Shtetit që ka mashtruar publikisht.

Hetimi për këtë skandal duhet të nxjerrë autorët e vërtetë të gjobës ndaj Shqipërisë.  110 milionë euro nuk kanë përse të paguhen nga qytetarët, por të paguhen nga ata që firmosën letrat e paligjshme për mbylljen e medias.

SPAK ka në dorë një rast flagrant të shpërdorimit të pushtetit si dhe 110 milionë euro që duhet ti paguajnë shqiptarët për hakmarrjen e kryeministrit, i cili veproi kundër medias në fjalë se kritikonte, por që e mbylli për ti bërë qejfin interesave të disa televizionëve vendas, të cilët rrezikonin nga konkurenca e Agon Channel.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP