Punonjësit e pakënaqur me rikthimin në zyrë në New York
Puna nga shtëpia përfundoi këtë javë për shumicën e punonjësve të qytetit të Nju Jorkut. Ata tani duhet të shkojnë në zyra, por jo të gjithë janë të entuziazmuar.
“Koha që na u dha për të riorganizuar jetën tonë, jetën e fëmijëve tanë, është e vogël. Fëmijët tanë do të shkojnë në shkollë fizikisht dhe mendoj se në këtë rast përfitimi është më i lartë se rreziku. Por që ne të shkojmë në zyrë, kjo krijon më shumë ekspozim për fëmijët tanë, të cilët deri tani janë të pavaksinuar. Eshtë e tmerrshme”, thotë Ashley Firestone nga Departamenti i Çështjeve Kulturore, në qytetin e Nju Jorkut.
Edhe kolegia e saj thotë se është gjithashtu shumë e zhgënjyer.
“Nuk na u dha kohë për t’u përgatitur. Nuk na u dha asnjë mundësi. Duhet të zgjidhje: ‘gjithçka ose asgjë’. Nuk kishte asnjë mundësi për të punuar në distancë. Nuk na është dhënë një arsye e vërtetë për këtë ndryshim”, thotë Claudia Arzeno nga Departamenti i Çështjeve Kulturore, në qytetin e Nju Jorkut.
Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio këmbëngul se vendimi që punonjësit të kthehen në zyra, është vendimi i duhur.
“Tani është koha që të gjithë të kthehen atje ku mund të bëjnë punën më mirë, dhe që është padyshim në zyrë”, tha ai.
Por Ashley Firestone këmbëngul se puna e tyre ka qenë produktive edhe duke mos qenë fizikisht në zyrë.
“Ne kemi punuar me efikasitet nga shtëpia për 18 muaj, duke drejtuar qytetin, duke e mbajtur atë në këmbë. Dhe na është thënë se kemi bërë një punë të shkëlqyer”, thotë ajo.
Yvette Santiago, e cila drejton Departamentin e Plakjes së qytetit, thotë se ajo thjesht po përpiqet të përshtatet me realitetin e ri.
“Ka më shumë produktivitet në zyrë, por unë ndiej një lloj presioni për të mbajtur maskën gjatë gjithë kohës. Unë jam klaustrofobike. Njerëzit ju shikojnë çuditshëm nëse ju nuk mbani një maskë. Pra është një tjetër realitet tani”, thotë Yvette Santiago.
Një tjetër punonjës thotë se puna nga shtëpia për të krijoi më shumë mundësi. Ndërkohë edhe mësimi në klasa ka filluar për rreth një milion nxënës të shkollave publike të qytetit të Nju Jorkut. Mësimi online nuk do të jetë më një mundësi për nxënësit.