A do të rigjallërohen ekonomitë e Ballkanit?

Përmirësimi i kapaciteteve prodhuese dhe rrjedhimisht rritja e punësimit janë ndër objektivat kryesore të të gjitha vendeve të Ballkanit, por në rajon mungon konsensusi lidhur me atë se si do të arrihen këto objektiva.

Në krye të çështjeve me të cilat liderët e vendeve të Ballkanit kanë qenë më shumë të ngarkuar vitet e fundit renditet ekonomia. Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit po kërkojnë mënyra për të dalë nga stanjacioni ekonomik që vazhdon prej vitesh. Përmirësimi i kapaciteteve prodhuese dhe rrjedhimisht rritja e punësimit renditen ndër objektivat kryesore të të gjitha vendeve të Ballkanit. Megjithatë, në rajon mungon konsensusi në mendim lidhur me atë se si do të arrihen këto objektiva.

Për sa kohë që vazhdon stanjacioni ekonomik në Evropë, është e pashmangshme që të mos preken nga kjo edhe vendet e Ballkanit. Megjithatë, kriza ekonomike në vendet e Ballkanit është një problem strukturor që vazhdon të ekzistojë pavarësisht stanjacionit të përgjithshëm ekonomik në Evropë. Një nga problemet kryesore me të cilat përballen më shumë vendet e Ballkanit është se eksportet e tyre nuk janë mjaft konkurruese. Kështu, ndërsa rrjedhja e importeve vazhdon të jetë dinamike, vendet e rajonit përballen me probleme të deficitit në bilancin e pagesave. Kur deficitit në bilancin e pagesave i shtohen edhe deficitet e sektorit publik, që rrjedhin nga shpenzimet publike, atëherë kemi të bëjmë me problemin e deficitit të dyfishtë. Dalja nga kriza ekonomike kërkon lehtësimin e këtij deficiti të dyfishtë.

Mbi të gjitha, dalja nga stanjacioni ekonomik përveç përgjegjësisë, vizionit dhe përpjekjeve afatgjata kërkon edhe konsensus shoqëror. Ky kompromis duhet të bazohet në pranimin e realitetit se dalja nga recensioni ekonomik nuk do të arrihet aq shpejtë dhe me lehtësi, por gjithashtu duhet mbështetur edhe në vetëdijen që duhet sakrifikuar sot për një të nesërme më të mirë. Përveç kësaj, politikanët duhet të largohen nga ndjekja e politikave ditore dhe të veprojnë me një koncept që synon ritme të larta të rritjes në terma afatgjatë dhe të ndjekin politika ekonomike që përshtaten me realitetin e vendit të tyre.

Papunësia vazhdon të jetë një problem serioz në vendet e Ballkanit. Për shembull, sipas të dhënave të Bankës Botërore (BB), norma mesatare e papunësisë në Kosovë për vitet 2010-2016 ka qenë 45%, në Maqedoni 31%, në Bosnjë-Hercegovinë 28%, në Greqi 24%, në Serbi 20%, në Malin e Zi 20%, në Kroaci 16%, në Shqipëri 15% dhe në Bullgari 12%. Nga vendet e rajonit vetëm, Rumania ka pasur një normë papunësie njëshifore prej 7%. Shkalla e lartë e papunësisë mban vazhdimisht të gjallë prirjen e migrimit në Ballkan. Duhet të theksohet se jo vetëm migracioni i jashtëm, por edhe migrimi i brendshëm në vendet e Ballkanit është një fenomen i përhapur dhe në kryeqytete ka një grumbullim të madh të popullatës.

Vendet e Ballkanit duhet të luftojnë papunësinë duke përmirësuar kushtet afatgjata të punës dhe duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës. Një rëndësi të madhe në këtë drejtim ka inkurajimi i zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Lufta kundër papunësisë kërkon gjithashtu edhe reformimin e sistemit arsimor. Në të vërtetë, sistemi arsimor duhet të krijojë kapital njerëzor në gjendje që të plotësojë nevojat e tregut. Megjithatë, sistemi arsimor që ekziston në shumicën e vendeve të Ballkanit, dikur me planifikim qendror, vazhdon të krijojë ushtrinë e të papunëve, e cila shpesh është e shkëputur nga tregu.

Nga njëra anë, duhen ndjekur politika financiare në drejtim të reduktimit të deficiteve buxhetore, kurse nga ana tjetër mund të shikohet edhe nëse është i mundur stimulimi i prodhimit dhe punësimit. Kjo është e mundur nëse përdoren në mënyrë racionale edhe mundësitë më të vogla që ofron buxheti. Përveç kësaj, vendet e Ballkanit mund të ri-vlerësojnë burimet e tyre natyrore dhe mundësitë e turizmit në mënyrë që këto të sigurojnë burime të reja të ardhurash.

Ashtu si në rastin e vendeve të Ballkanit, është pothuajse një opsion i detyrueshëm për të inkurajuar rritjen e prodhimit në vendet me tregti të jashtme më të vogël dhe më pak konkurruese. Nëse kërkesa inkurajohet më shumë se prodhimi dhe prodhimi vendor nuk është në gjendje ti përgjigjet në mënyrë adekuate rritjes së kërkesës, ky proces mund të rezultojë me rritje të importeve. Përballë një zhvillimi të tillë, problemi i deficitit në bilancin e pagesave mund të rritet edhe më shumë.

Rritja e prodhimit dhe punësimit mund të rrisë në mënyrë indirekte edhe eksportet. Por do të jetë më e dobishme nëse rritja e eksporteve bëhet me produkte konkurruese të mbështetura me politika inovative, dhe jo me përpjekje për të shitur mallra më të lira eksporti. Natyrisht që kjo kërkon edhe vazhdimin e përpjekjeve për të thithur investimet e huaja në këtë proces. Për shkak se normat e kursimeve në vendet e Ballkanit janë të pamjaftueshme për të mbështetur rritjen ekonomike. Vendet e Ballkanit i kanë lidhur shpresat tek fondet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës së transportit.

 Dr. Erhan TÜRBEDAR.

Trt.net.tr

SHKARKO APP