Ali Ahmeti: Strategji për të miratuar ligjin e gjuhës shqipe, Ivanov ka bërë gabim
Ndërkaq, i pyetur nga Ora News, kreu i BDI-së ka folur edhe për zhvillimet aktuale. Ahmeti njoftoi se po punohet për një strategji me qëllim që të miratohet përfundimisht ligji për gjuhën shqipe, ndërsa refuzimin e Presidentit Ivanov e cilësoi si një gabim të kreut të shtetit.
Ali Ahmeti: Çështja e përdorimit të gjuhëve mund të pritet dhe të ratifikohet në proces e sipër, por mendoj se ka ardhur një moment i rëndësishëm që mos ndoshta në pako edhe ligjin edhe marrëveshjen me palën greke mbi përdorimin e gjuhëve do të thotë që të hyjnë në fuqi. Jemi duke përpunuar një strategji që të ketë një pilot të suksesshëm.
Më tej, Ahmeti foli edhe për cështjen e emrit të Maqedonisë, duke u shprehur se Shqiptarët kishin zë në marrëveshje dhe se kishin përcaktuar emrat që do t’i konsideronin si të papranueshë.
Ali Ahmeti: Shqiptarët kanë qenë thellësisht të angazhuar në këtë proces për të arritur një kompromis me palën greke. Siç dihet, zgjidhja e çështjes së emrit ka qenë një ndër kushtet kryesore edhe të BE edhe të NATO-s, sepse Greqia ka pasur të drejtën e vetos që pa zgjidhur çështjen e emrit, sigurisht që kyproblem do të na paraqiste pengesë edhe më tutje. Shqiptarët kanë qenë pjesë që kanë kontribuar për zgjidhje, nuk kanë qenë pjesë e problemit. Shqiptarët janë të kënaqur, është i pranueshëm për ne. Ne kemi bërë të ditur me cilën emër nuk do pajtoheshim, nëse do quhej Republika Kombëtare e Maqedonisë apo Republika Sllavo-Maqedonase pra ne i kemi bërë të ditur për opinionin dhe diplomacionë ndërkombëtare.
Ftesën e NATO-s për Maqedoninë, Ahmeti e cilësoi një lajm pozitiv për të gjithë rajonin.
Ali Ahmeti: Ftesa për anëtarësim që i jepet Maqedonisë në NATO është një moment historik për paqen në rajon, për stabilitetin në Republikën e Maqedonisë, për marrëdhëniet ndëretnikë në Maqedoni. Sigurisht që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të shërbejë si një moment i rëndësishëm për t’i ofruar dy komuniteteve më të mëdha, maqedonas dhe shqiptar, sepse paqja stabiliteti dhe siguria janë me rëndësi jetike për ne në Maqedoni, por një dobi e madhe është edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në mbyllje, kreu i BDI-së ka folur edhe për integrimin europian, duke u shprehur se shqiptarët janë renditur dhe do të vijojnë të pozicionohen gjithmonë karshi perëndimit.