Ambasadori amerikan në Serbi: Nuk dorëzohemi, Asociacioni në Kosovë do të formohet

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill thotë se ka ardhur koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai tha se nuk do të dorëzohen, derisa të sigurohen për ngritjen e Asociacionit.

“E kuptoj pse mu drejtuat me atë pyetje, sepse edhe unë e bëj të njëjtën. Këtë javë bëhen 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe është koha që të formohet Asociacioni. Ajo se çfarë mund t’u garantoj është që nuk do të dorëzohemi derisa të ndodhë”, u ka thënë Hill gazetarëve.

Po ashtu Hill tha se serbët duhet të kenë besim në marrëveshje të tilla, sepse nëse nënshkruhen, ato me patjetër duhet të zbatohen.

“Një tjetër arsye, ndoshta edhe më e rëndësishmja, është që këto komunitete në Kosovë duhet ta dinë se çfarë e ardhme i pret, sepse ato nuk janë formuar dje, ato kanë qenë në Kosovë për vite. Dua vërtet t’u siguroj që do ta trajtojmë këtë obligim me seriozitetin më të madh”, ka thënë ai.

SHKARKO APP