Analisti grek: Greqi – Shqipëri, në temperatura Siberie
Nën titullin Fishekët “flakëvënës” që vranë minoritarin, gazetari i njohur grek, Stavros Tzimas, analizon zhvillimet e fundit pas ngjarjes së Bularatit dhe impaktin që reagimet për këtë ngjarje krijojnë në marrëdhëniet midis të dy vendeve.
Në analizën që publikohet në hënën në portalin e gazetës “Kathimerini”, Tzimas shtron që në radhët e para pyetjen nëse ky impakt do t’i kthejë marrëdhëniet në nivelin e fillimit të viteve 1990, “atëherë kur me shkas një tjetër incident të përgjakshëm në Jug të Shqipërisë (e ka fjalën për vrasjen e 2 ushtarakëve shqiptarë më 10 prill 1994), i kishte çuar marrëdhëniet në prag të shkatërrimit.
Pas informacioneve se të paktën 2.000 minoritarë që jetojnë në Greqi do të shkojnë të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Konstandinos Katsifas, gazetari Stavros Tzimas, nënvizon:
“Klima në radhët e minoritetit është shpërthyese dhe në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare ngjan të jetë përfshirë nga një valë nacionalizmi. “Ekziston rreziku që marrëdhëniet të kthehen dekada mbrapa”, shprehet historiani Stavri Dajo, duke theksuar se “të dy palët (pala greke dhe ajo shqiptare), qëndrojnë në instikamet e tyre”.
Më tej Tzimas citon pjesë nga deklarata e presidentit shqiptar Ilir Meta, duke komentuar se “Presidenti Meta tenton të ulë gjakrat, duke vënë njëkohësisht gishtin në plagën aktive të marrëdhënieve dypalëshe, domethënë mungesën e përhershme të besimit, gjë që lejon nacionalizmat dhe urrejtjen të gjejnë një terren pjellor”.
“Zërin e matur të presidentit Meta”, analistët e konsiderojnë si “zë në shkretëtirë”, vazhdon Tzimas. Sipas tij, analistët gjakftohtë “insistojnë se rrënjët e problemit në marrëdhëniet greko-shqiptare duhen kërkuar në paragjykimet që ekzistojnë në të dy shoqëritë… Shqiptarët vazhdojnë të besojnë se grekët, me minoritetin si “kalë Troje” përpunojnë plane për aneksimin e Epirit të veriut, duke minuar integritetin territorial të vendit. Nga kjo anë (në Greqi), megjithëse jetojnë e punojnë mbi 700.000 emigrantë – shumica të ligjshëm, “Alvanosi” për një pjesë të madhe të shoqërisë greke mbetet sinonim i kriminalitetit, “racë inferiore” dhe Shqipëria është një tjetër fqinj që aspiron troje të Greqisë (problemi çam).
Në një atmosferë të tillë, gjykon Stavros Tzimas, as minoriteti grek dhe as emigrantët shqiptarë në Greqi u bënë ndonjëherë ura miqësie ndërmjet të dy popujve, ashtu siç u pëlqen të deklarojnë gjatë takimeve të tyre udhëheqësit këndej dhe andej kufirit…
“Ku gjenden marrëdhëniet greko-shqiptare sot, 27 vjet për rrëzimit të regjimit komunist të Hoxhës? Afër zeros, pranojnë diplomatë nga të dy vendet, të cilët u pyetën nga Kathimerini. Axhenda mbetet thuajse e njëjtë me atë të viteve 1990, me përjashtim të marrëveshjes për varrezat e të rënëve grekë… Kryeministrat Tsipras e Rama, nëpërmjet ministrave të jashtëm Kotzias (tashmë ish) dhe Bushati, tentuan të “thyejnë akullin”, duke përcjellë madje dhe një klimë optimizmi për arritjen e marrëveshjes. Opinioni publik grek, i ngarkuar nga zhvillimet me marrëveshjen e Prespës, u indoktrinua edhe më shumë nga zërat se Athina po tërhiqet duke pranuar çështjen çame. Tani erdhi dhe vdekja e minoritarit që ta zhysë axhendën më thellë në temperatura Siberie”, përfundon analisti grek, Stavros Tzimas.
/ Pergatiti Robert Goro – Ora News