BE: Të shmangen veprimet që mund të rrisin tensionet në Kosovë
Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës. Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thuhet se BE-ja është shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës gjatë kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.
Stano ka thënë se BE është e shqetësuar edhe me operacionin që ndodhi në objektin e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Ai ka shtuar se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmang veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.
“Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka shtuar se mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, tha Stano.