
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përgatisin një fushatë për arrestimin e Aleksandar Vuçiçit, pas kërkesave për marrjen e tij në pyetje lidhur me tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Në një reagim në rrjetin social X, Brnabiç e cilësoi këtë zhvillim si një përpjekje për përndjekje politike, duke pretenduar se qëllimi nuk është vendosja e drejtësisë, por largimi i Vuçiçit nga politika.
Sipas Brnabiçit, më pak se 72 orë pas fitores së Listës Studentore në zgjedhje, ka nisur një fushatë që synon arrestimin e Vuçiçit. Ajo i konsideroi të pajustifikuara kërkesat për marrjen e tij në pyetje, ndërsa kërkoi që hetimet të përfshijnë edhe personat përgjegjës për kontrollin e projektit dhe miratimin e punimeve në stacionin hekurudhor.
”Ata premtuan terror revolucionar, ne shohim terror revolucionar. Gjatë fushatës, ata nuk e lanë Aleksandar Vuçiçin të fliste. Gjatë heshtjes zgjedhore, ata e sulmuan atë dhe gënjyen për të dhe familjen e tij sepse e dinin se as ai dhe askush prej nesh nuk mund të përgjigjej sepse ne respektojmë ligjet e vendit tonë. Tani, më pak se 72 orë pas fitores së tyre zgjedhore, ata po fillojnë një aksion për të arrestuar Aleksandar Vuçiçin.
Dhe për këtë po japin shpjegimet më idiote të mundshme – imagjinoni presidentin e një vendi të informuar për zbatimin e një prej projekteve më të mëdha në atë vend, dhe kjo është bazë e mjaftueshme që ai të merret në pyetje dhe të dyshohet për shembjen e tendës në Novi Sad?!? Personat e dyshuar nga Komisioni i Auditimit, të cilët, në emër të profesionit, kontrolluan projektin dhe dhanë dritën jeshile pa kërkuar kontrolle shtesë, nuk u morën në pyetje as ata. Jo. Këta njerëz janë në Listën e Studentëve”, shkroi ajo.
