Beteja e babait trondit gardën e vjetër të serbëve të Bosnjës

Milorad Dodik, president i Republika Srpska, mini-shteti autonom nën kontrollin serb brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, i tha Davor Dragiçeviçit se nuk duhet të mbante më zi për djalin e tij 21-vjeçar. Gjatë një interviste në mediat lokale, udhëheqësi serb i vuri në dukje se tashmë ai ka një djalë tjetër.

Por, kamerieri 55-vjeçar nuk po i pranon këshillat presidenciale dhe nuk e kyç gojën. Ai kërkon të dijë se si vdiq i biri, kush e vrau dhe pse.

Ai po komplikon kështu planet e zotit Dodik për t’u rizgjedhur, pas një qëndrimi në pushtet që në vitin 2010. Zoti Dodik kërkon shkëputjen e Republika Srpskas nga Bosnja dhe shpalljen e një shteti të pavarur, një lëvizje kjo që do të trondiste paqen delikate multietnike në Ballkan.

Më 7 tetor, serbët në Republika Srpska dhe kroatët dhe boshnjakët myslimanë të Bosnjës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe presidentët e dy entiteteve që përbëjnë këtë federatë.

Që nga 24 marsi, kur biri i tij Davidi, student i teknologjisë së informacionit, u gjet i mbuluar me baltë dhe rërë në një kanal pas gjashtë ditësh zhdukjeje, zoti Dragiçeviç ka protestuar gjatë mbrëmjeve në Banja Luka, kryeqytetin de facto të Republika Srpskas.

Manifestimet kanë tërhequr qindra mbështetës dhe në Facebook është krijuar grupi “Drejtësi për Davidin”, me rreth 325 mijë anëtarë.

Një memorial për Davidin nuk është kundërshtuar nga policia, por autoritetet instaluan gjatë natës kamera survejimi për të vëzhguar aktivitetin përreth dhe ndoshta për të identifikuar pjesëmarrësit në manifestimet për Davidin.

Zoti Dragiçeviç i tha të mërkurën Zërit të Amerikës se “fakti që Dodik mundet të thotë gjëra të tilla, flet më shumë për të se sa për mua”. Ndërsa fliste me korrespondentin e Zërit të Amerikës nën diellin e fortë të pasdites, të rinj dhe të moshuar afroheshin për t’i shtrënguar dorën dhe për t’i dhënë kurajo që të qëndrojë i fortë.

“Autoritetet nuk u përgjigjen pyetjeve të mia për vrasjen e tim biri”, thotë zoti Dragiçeviç. Ai thotë se ka prova që ai u përdhunua dhe u vra nga policë të korruptuar. “Nuk kam frikë prej tyre, edhe nëse më vrasin, e vërteta duhet të dalë. Edhe po të kisha një mijë fëmijë, secili prej tyre do të ishte i rëndësishëm”, shton ai.

Vdekja e Davidit është vendosur në epiqendër të vëmendjes publike në Republika Srpska dhe ka arritur më shumë se çdo lëvizje tjetër, raport zyrtar apo organizëm ndërkombëtar, për të hedhur dritë mbi vrasjet e pazbardhura në enklavën serbe, mbi korrupsion e gjithëpranishëm dhe mbi sjelljen prej banditësh të policisë.

Në vitin 2011, Këshilli i Evropës, organizata kryesore për të drejtat e njeriut me 47 vende anëtare, kritikoi shkeljet e policisë në Republika Srpska, duke thënë se abuzohet rregullisht me të ndaluarit.

Në vitin 2013, komisioni i Këshillit të Evropës për parandalimin e torturës tha se është rutinë policore rrahja e të arrestuarve dhe se madje disa prej të ndaluarve u janë nënshtruar elektroshokut dhe inskenimit të ekzekutimeve false, duke risjellë kështu në kujtesë luftërat në Ballkan gjatë viteve ’90-të, kur torturimi dhe vrasja e civilëve ishin të zakonshme gjatë konfliktit për të cilin filloi përdorimi i gjerë publik i termit “spastrim etnik”.

Rasti i Davidit ka bashkuar protestuesit kundër brutalitetit të policisë dhe vdekjeve të pazbardhura. Raporti fillestar mjekoligjor konkludonte se ai ishte vetëvrarë, megjithëse gjatë autopsisë u gjetën plagë që dëshmonin se ai ishte përfshirë në një përplasje fizike dhe se vdekja e tij kishte qenë e dhunshme. Më pas u ndryshua konkluzioni, duke pranuar se ai ishte vrarë. Zyrtarët e policisë pretendojnë se ai merrte drogë, megjithëse nuk kanë paraqitur asnjë provë.

Duket se ka gjasa që zoti Dodik të rizgjidhet, por çështja Dragiçeviç ka hedhur dritë publike mbi qeverisjen gjysëm-autokratike të presidentit në mandatin e tij të dytë.

Këtë javë, Departamenti amerikan i Shtetit vendosi sanksione ndaj udhëheqësit të dytë më të rëndësishëm të Republika Srpskas, zotit Nikola Spiriç, për korrupsion, marrje rryshfeti dhe “dhuratave të papërshtatshme në këmbim të funksioneve të tij publike”.

Gjatë një interviste me Zërin e Amerikës, zoti Spiriç i mohoi akuzat, dhe tha se këto janë përpjekje të Uashingtonit për të ndërhyrje në zgjedhjet e tetorit. /VOA/

SHKARKO APP