Bisedimet Greqi-Maqedoni, negociatat për emrin hyjnë në fazë të re dhe serioze

Zhvillimi i negociatave për emrin ka hyrë në fazën serioze dhe njëkohësisht të ndjeshme. Thelbi i tyre duket se qëndron tek ndryshimi ose jo i kushtetutës.

Emri i ri i Maqedonisë nuk duhet të përmbajë përcaktim gjeografik që do të ishte në dëm të Bullgarisë, ka deklaruar presidenti i Bullgarisë Rumen Radev gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoni. “Bullgaria nuk përzihet në zgjidhjen e kontestit midis dy shteteve fqinje , por Bullgaria si vend fqinj kjo çështje e prek”, është shprehur presidenti bullgar Radev në konferencën e përbashkët me homologun maqedonas Gjorge Ivanov.

Osmani: Ka pika të ndjeshme në negociata
Zhvillimi i negociatave për emrin ka hyrë në fazën serioze dhe njëkohësisht të ndjeshme dhe nuk është kontribuese ulja e bisedimeve në nivel të mediave pa pasur një qëndrim të gatshëm, thotë zëvendëskryeministri Bujar Osmani. Sipas tij, në këtë fazë të negociatave po harmonizohen qëndrimet dhe për momentin nuk ka vend për të hapur tema si referendum apo ndryshime kushtetuese.

“Çelësi i suksesit të këtyre negociatave është që ato të jenë të kufizuara në nivel të grupeve negociuese. Model për të dështuar ky proces janë negociatat nëpërmjet mediave, negociatat publike, për shkak se e dimë nga eksperienca gjithmonë kur kemi qenë afër zgjidhjes, debati publik e ka rrënuar procesin në fazë të hershme. Nuk them se ne duhet t’i ikim debatit publik, por në këtë fazë kur procesi ende është i papjekur mjaftueshëm që të mund të ekspozohet në opinion, ai do të shkatërrohet që në fillim”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani.

Pa dashur të zbulojë detaje më të hollësishme për procesin e negociatave, kryeministri Zoran Zaev megjithatë përmend se thelbi i negociatave qëndron tek ndryshimi ose jo i kushtetutës. “Gjithsesi pozitat esenciale janë shumë të rëndësishme, emri, Kushtetuta nëse do të ndryshojë ose jo, gjuha dhe çështje të tjera që përmenden. Gjithsesi ajo është esenca e gjithë procesit negociues dhe mundësisë së gjetjes së zgjidhjes. Besoj se të dyja palët do të jemi pragmatike. Dinjiteti është shumë i rëndësishëm, identiteti është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Zaev.

Sa i përket emrit ai konfirmon se në tavolinë kanë mbetur katër emra me përcaktim gjeografik. Ai nuk saktësoi emrat por tashmë jo zyrtarisht bëhet e ditur se zgjidhja mund të kërkohet mes emrave si Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Hapja e çështjeve të tjera përveç emrit mund ta pengojë procesin
Intensifikimi i bisedimeve për çështjen e emrit është tregues se problemi ka hyrë në fazën serioze. Është moment kritik, prandaj kaq heshtje, vlerëson profesori universitar Shpëtim Latifi. Kjo fshehtësi se çfarë po diskutohet në opinion i referohet ndjeshmërisë së negociatave në këtë moment. “Ajo për të cilën ndoshta tani po “thyhen shtizat” është çështja e përdorimit të emrit “Erga Omnes”. Qëndrimi i Qeverisë greke është që emri i ri i Maqedonisë “Erga Omnes” do të nënkuptojë që ky emër të përdoret edhe brenda Maqedonisë, me çka nënkupton në mënyrë eksplicite ndërrimin e Kushtetutës, për të cilën Qeveria e Maqedonisë është zotuar se nuk do të ndodhë”, thotë profesori Shpëtim Latifi.

Përfshirja në bisedime e temave që kanë të bëjnë me çështjen e identitetit, gjuhës dhe ndryshimi i Kushtetutes mund të ndërlikojnë apo edhe të pamundësojnë gjetjen e një zgjidhjeje mes dy vendeve për emrin thonë njohës të çështjeve ndërkombëtare. “Në të kaluarën as që është biseduar për çështjen e identitetit dhe gjuhës, pasi ato kryesisht ishin përqendruar në ndryshimin e emrit. Nuk di se pse tani hapen edhe këto çështje, të cilat në të kaluarën as që ishin në rend dite. Ende e kemi të paqartë se emri i ri do të përkthehet në anglisht, apo do të përdoret ai në gjuhën maqedonase edhe për përdorim ndërkombëtar. Situatë e njëjtë është e me gjuhën, se si mund të quhet gjuha ndryshe nga maqedonishtja, ajo që përdoret me vite e vite”, thotë Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike.

Analisti Lupço Ristevski thotë se negociatorët grek nuk kanë të drejtë që në tryezën e bisedimeve t’i hapin çështje siç janë identiteti, gjuha, kultura sepse këto janë çështjet më të shenjta për një komb.

“Greqia nuk ka të drejtë të ketë pozicione dominuese dhe të kërkoj zgjidhje ‘Erga Omnes’, pra të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës. Kjo është e pakuptimtë dhe paraqet përzierje flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë. Kuptohet se zgjidhje duhet të ketë, por ajo duhet të përshijë vetëm çështjen e emrit, por jo aspekte të tjera si identitetin, gjuhën dhe të tjera”, thotë Ristevski.

Por profesori Abdulla Azizi kërkon nga politika shqiptare të jetë e vëmendshme, pasi kur flitet për identitetin, në asnjë mënyrë nuk duhet harruar identiteti shqiptar. “Nuk është vetëm identiteti i maqedonasve këtu që preket, flasim për emrin e shtetit. Ku është identiteti i shqiptarëve, dikush e ka keqkuptuar këtë çështje dhe gjithçka që përmendet në Maqedoni e ka përvetësuar si emër ekskluziv me emrin e kombit që është shumicë në këtë shtet”, thekson profesori Abdulla Azizi./dw/

SHKARKO APP