Dështon lobimi ndërkombëtar për një takim Osmani-Vuçiç, Kosova me kushte ndaj BE-së
Presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholz nuk arritën që të ulin bashkë në një tavolinë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin me homologun serb, Aleksandër Vuçiç. Sa i përket takimit me delegacionin e Kosovës, Vuçiç ka thënë se Vjosa Osmani u tregua hipokrite dhe nuk pranoi që të dyja palët të flasin me ndërmjetësi ndërkombëtare.
“Nuk kam biseduar me përfaqësuesit e Prishtinës sepse ata as që duan të bisedojnë me ne. Osmani është hipokrite e flet për standarde të dyfishta ndaj Serbisë, por ne jemi mësuar me këtë. Ne kurrë nuk kemi kerkuar që t’i vendosen sanksione Prishtinës dhe nuk interesohemi për gjëra të tilla. Dëshiroj përparim në dialog dhe arritjen e një zgjidhje kompromisi qe të mos na paraqiten ëndrra dhe pastaj të mos ndodh asgjë konkretisht”.
Ndërkohë kur u pyet nga gazetarët e huaj nëse Serbia e ka pasur synim ta sulmojë Kosovën më 24 shtator në Banjskë, Vuçiç tha diplomatët amerikanë dhe europianë verifikuan në terren për të largimin e ushtrisë serbe nga kufiri.
“Jemi shtet që dëshiron paqe e qetësi. Jam i sigurt për këtë. Kemi ulur prezencën ushtarake afër kufirit nga 8500 te 4400 ushtarë. Sot përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë shkuan për të parë ne terren këtë. Serbia dëshiron të vazhdojë rrugën evropiane ndaj nuk jemi të interesuar për luftë. Dy vite më parë dislokuam në kufirin jugor 14 mijë ushtarë”.