“Dorëheqja e Kamenos, një divorc i inskenuar”
Parlamenti grek pritet të mblidhet të mërkurën për të votuar një propozim të kreut të qeverisë, Aleksis Tsipras, për të marrë votëbësimin e deputetëve pas daljes së partnerit Panos Kamenos nga koalicioni qeverisës.
Për partitë e opozitës në Greqi, divorci mes dy partive aleate përpara ratifikimit të Marrëveshjes së shumëdebatuar të Prespës është vetëm një inskenim politik që nuk do të devijojë qëllimin e vërtetë të qeverisë në favor të akordit me Maqedoninë.
Ndërkohë, vetë Tsipras e konsideron marrëveshjen një mundësi historike për të treguar frymën e paqes dhe vëllazërisë mes kombeve.
Opozita greke e konsideron një farsë politike daljen e partisë “Grekët e Pavarur” nga koalicioni qeverisës i drejtuar nga SYRIZA.
Ministri i Brendshëm grek, Panos Kamenos, së bashku disa përfaqësues të dikastereve ministrore nga partia e tij, shpallën dje dorëheqjen nga postet e tyre duke cituar si arsye madhore ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë që pritet të propozohet së shpejti në parlament.
Por partia opozitare, “Demokracia e Re”, deklaroi të dielën se “divorci i inskenuar” i partnerëve të koalicionit ka për objektiv primar miratimin e marrëveshjes së debatuar, pasi SYRIZA bashkë me Kamenos dhe deputetët e tij do të vazhdojnë të qëndrojë në pushtet edhe për disa kohë.
Ndërkohë, partia “Lëvizje për Ndryshim” njoftoi përmes liderit të saj që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Vetë kryeministri Aleksis Tsipras e ka përjashtuar skenarin e mbajtjes së zgjedhjeve përpara tetorit të këtij viti, megjithatë është shprehur në favor të votëbesimit të qeverisë së tij në seancën më të afërt parlamentare, e cila sipas kreut të Kuvendit pritet të mbahet ditën e mërkurë.
Qeveria e Tsipras duhet të marrë një numër minimal prej 151 votash në mënyrë që të kalojë testin e votëbesimit.
Aktualisht, partia e tij SYRIZA numëron 145 deputetë në parlament, dhe shpresohet që me ndihmën e katër votave nga “Grekët e Pavarur” të Kamenos dhe nga dy deputetë të tjerë do t’i hapet rrugë një qeverie të qëndrueshme.
Në lidhje me marrëveshjen e kundërshtuar të Prespës, Tsipras shfrytëzoi dje rastin për të përsëritur se mesazhi i akordit me Maqedoninë është ai i paqes dhe i vëllazërisë mes kombeve, jo ai i nacionalizmit apo fanatizmit që po rrezikon Evropën.