
Zëvendëspresidenti i Indonezisë, Gibran Rakabuming Raka, ka paraqitur dorëheqjen nga detyra. Lajmin e bëri të ditur një prej ndihmësve të tij, i cili konfirmoi vendimin për mediat ndërkombëtare, përfshirë BBC-në. Sipas tij, dorëheqja vjen pas një vendimi të Gjykatës Supreme të Indonezisë.
Ajo shpalli të pavlefshme certifikatën e shkollës së mesme që Gibran kishte përdorur gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024. Ende nuk është e qartë nëse Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, e ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e tij. Çështja ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike të vendit.
Më shumë se 100 ligjvënës kanë mbështetur një nismë parlamentare që mund të hapte rrugën për nisjen e procedurave të shkarkimit të zëvendëspresidentit. Ky zhvillim vjen në një moment të ndërlikuar për marrëdhëniet mes figurave kryesore të politikës indoneziane. Gibran Rakabuming Raka është djali i madh i ish-presidentit indonezian Joko Widodo, i njohur si Jokowi.
Ky i fundit mbështeti Prabowon, ish-rivalin e tij politik, gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Prabowo fitoi zgjedhjet dhe mori drejtimin e vendit. Që prej atëherë marrëdhëniet mes dy figurave politike janë ftohur, duke vënë në pikëpyetje edhe aleancën që ndihmoi në ardhjen e tij në pushtet.
