E djathta greke proteston kundër Maqedonisë
Gati përditë demonstrohet në Greqi kundër marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Sidomos nacionalistët janë të indinjuar. Historianët i shohin demonstratat me sy kritik.
Nga Florian Schmitz*
“Zhduku prej këndej!”, bërtet një burrë tullac i veshur në të zeza. Në dorë ai mban një flamur grek. “Këtu është e ndaluar të filmosh”, thërret një tjetër. “Pse? Kjo është legale”, përgjigjem unë. “Sepse ashtu them unë.” Ata të dy janë pjesë e një grupi prej rreth 200 nacionalistësh që demostrojnë direkt tek Kulla e Bardhë, simboli i qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut. Ata demostrojnë kundër marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Gazetarët dhe kritikët nuk shihen me sy të mirë këtu.
Diku më tutje ndodhen kamerat e mediave greke. “Ne nuk duam të provokojmë”, thotë një reportere. “Këta pak njerëz nuk ngrenë shumë peshë. Ata nuk janë shprehje e asaj që mendojnë njerëzit në Selanik.” Në fakt shumë pak vetë kthejnë kokën nga njerëzit e mbledhur. “Maqedonia është greke dhe ortodokse!” shkruhet në pankarta. Sipas sondazheve aktuale rreth 63 përqind e grekëve e mbështesin këtë qendrim. Ata janë kundër marrëveshjes, që u nënshkrua pak javë më parë midis kryeministrit Alexis Tsipras dhe kolegut maqedonas, Zoran Zaev. Sidomos ultra të djathtët dhe të krishterët shumë ortodoksë ndihen të tradhëtuar nga politika.
Patriotizëm në vend të konfrontimit
Ka kohë që nacionalistët grekë nuk kanë qenë kaq aktiv sa sot. Para disa javësh një grup demonstruesish të gatshëm për dhunë nga spektri i djathtë sulmuan një kafe, që ndodhet në qendër të Selanikut dhe vizitohet shpesh nga të majtët. Njerëzit që ndodheshin në kafe u larguan me njolla në trup dhe të shokuar. Monumentet hebreje për nder të viktimave të Holokaustit që ndodhen në Sheshin e Lirisë dhe tek Campusi i Universitetit u dëmtuan. Norvegjezi Vemund Aarbakke tund kokën. Prej 15 vjetësh ai jep mësim në Institutin e Historisë të Universitetit Aristoteles në Selanik. Lënda: historia politike e Ballkanit.
Protestat në qytetin që ai ka zgjedhur për të jetuar e kanë mërzitur: “Gjithë këto agresione, kjo urrejtje dhe kjo frikë se do u vidhet historia, është pa kuptim”. Aarbakke mendon se mungon konfrontimi shoqëror në çështjen e Maqedonisë, një konfrontim me fakte historike. Ai mendon se përgjigjet për problemet e sotme nuk mund të gjenden në antikë. “Nëse dikush më pyet mua si historian nëse Aleksandri i Madh ka qenë grek apo maqedonas, atëherë unë përgjigjem se ai i ka takuar një epoke tjetër”. Ai habitet me identifikimin e madh me heronjtë e antikës. “Unë jam norvegjez. Por kur unë flas për vikingët, atëherë nuk them “ne”. Ata kanë jetuar shumë kohë përpara.”
Pikërisht në Greqi reagimet janë kryesisht emocionale. “Kemi të bëjmë menjë mënyrë specifike greke për t’ia përshtatur situatën e tanishme vetëdijes kombëtare”, kritikon ai. Edhe në shkolla luan një rol. “Shumë studentë shokohen kur lexojnë tekste shkencore për këtë temë dhe shohin se ajo që kanë mësuar në shkollë është krejt tjetër.” Duke filluar në vitet 1990 ka patur një konfrontim kritik me vitet e krijimit të vendit dhe luftën civile. Pikërisht kjo është epoka vendimtare për atë që sot quhet çështja maqedone.
Aspak dialog në Ballkan
Ultra të djathtët grekë dhe nxitja e atmosferës agresive kundër fqinjëve veriorë janë vetëm maja e ajsbergut. Qendrimet nacionaliste shtrihen në të gjitha klasat e shoqërisë, të cilat në vitet e vështira të krizës është dashur të durojnë shumë. Prandaj shumë vetë në veri të Greqisë, kur flasin për çështjen maqedone flasin për dropi, turpin, dhe jo për hapa në një të ardhme të përbashkët ose për përfitimet ekonomike për të dy palët. Demonstrata kundër demonstratave të të djathtëve ose manifestime politike në përkrahje të marrëveshjes së Prespës nuk ka.
Jo vetëm në Greqi, edhe në vendet e tjera fqinje proceset e afrimit politik përkrahen më shumë në heshtje. Vetëm pak vetë flasin hapur për politikë të jashtme të orientuar nga fqinjësia e mirë ose për historinë e përbashkët të rajonit. Proceset e vendosjes së kufijve kanë shumë peshë në këtë rajon, ku kufijtë nacionalë u vendosën në fund të shekullit të 19-të. Që Alexis Tsipras e quajt Greqinë pjesë të Ballkanit në fjalimin e tij në Prespë ishte thyerje tabuje.
Historia për tu afruar
Zvezdana Kovac, drejtuese e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE) me qendër në Selanik e përshëndet marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë. Për gazetaren që vjen nga Mali i Zi ky është një hap historik. Prej 20 vjetësh instituti i saj përkrah dhe motivon proceset e pajtimit në rajon. Sidomos formimi historik luan një rol vendimtar. “Në të gjitha vendet e Ballkanit edhe në Greqi afrimi me historinë është egocentrik dhe etnocentrik. I bëhet glorifikim vendit të vet dhe fajësohen fqinjët. Ne i motivojmë të pranojnë edhe perspektivën e të tjerëve.”
Roli i perëndimit shihet me sy kritik. Evropa i ka kushtuar rajonit pak vëmendje pas luftës në Jugosllavi, thekson Kovac. Për Vemund Aarbakke pengesat për afrimin vijnë sidomos tek kundërshtimi konsekuent i të kaluarës së përbashkët. Duhet pranuar që rajoni është me shumëllojshmëri kulturore. “Në Greqi shpesh sundon dogma që vendi është shumë më homogjen se vendet e tjera të Evropës. Natyrisht që nuk është kështu. Kjo çështje ka të bëjë me mënyrën se si konfrontohet njeriu me realitetin dhe me të qenit ndryshe. Kush propagandon pastërtinë kulturore siç bëjnë këtu, arrin vetëm një gjë, krijimin e problemeve.”
*DW