”E kemi humbur që në 99”, ish-ministri serb del kundër Vuçiç për Kosovën
Pavarësia e Kosovës dhe zgjidhja e tensioneve me Serbinë, janë tema kryesore e dy vendeve së bashku me faktorin ndërkombëtar. Ish-ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, thotë se “Në vitin 1999 në Kumanovë ne praktikisht nënshkruam kapitullimin me të cilin humbëm integritetin dhe sovranitetin tonë territorial në Kosovë. Me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë, ne e humbëm atë”.
Ai ka vlerësuar se para asaj lufte është dashur të diskutohet se çfarë do të bëhet në rast të humbjes. “Thuhet se nëse ne tani e nënshkruajmë marrëveshjen (propozimi franko-gjerman) që nuk kërkon njohjen e Kosovës së pavarur, do të humbasim sovranitetin tonë territorial. Dhe, ku është sovraniteti ynë territorial, nëse patriarku ynë (i Kishës Ortodokse Serbe) nuk mund të shkojë në Kosovë?”, pyeti Shutanovac.
Ish-ministri serb po ashtu vlerësoi se propozimi franko-gjerman duhet të plotësohet dhe të diskutohet për çështje thelbësore, siç janë statusi i kishave, manastireve dhe pasurive kulturore dhe historike serbe.