Ekspertët serbë: Një “Rambuje 2”, në interes të Serbisë
Ekspertë të politikës së jashtme serbe, thonë se mbajtja konference ndërkombëtare, në të cilën Beogradi dhe Prishtina do të negocionin për një zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës me pjesëmarrjen e “lojtarëve” të mëdhenj botëror – Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, do të ishte një skenar i dëshirueshëm për Serbinë.
Këto komente ekspertët serbë i kanë bërë duke komentuar informacionet jo zyrtare të gazetës serbe “Danas” nga qarqet diplomatike në Perëndim se ekzistojnë gjasa reale që “nyja e Kosovës” të zgjidhet në një të ashtuquajtur “Rambuje 2”.
Megjithatë ekspertët serbë nuk kanë një pozicion unik për “kohën” eventuale të mbajtjes së një takimi të tillë.
Historiani dhe analisti serb Dragomir Angjelkoviq vlerëson, për gazetën serbe, se “për dallim nga bisedimet e dështuara të mbajtura në Rambuje në fillim të vitit 1999. Konferenca e re ndërkombëtare për Kosovën përbën lajm të mirë për Beogradin, duke pasur parasysh imazhin e ndryshuar gjeostrategjik në skenën botërore”.
“Në negociatat e zhvilluar në Rambuje në fillim të vitit 1999, fuqitë e mëdha perëndimore veç kishin të përgatitur një marrëveshje, kurse Rusia ishte vetëm pjesëmarrës protokolare, por nuk është e mundur diçka e tillë, për shkak se Rusia udhëheq një politikë autonome, dhe është forcuar pozicioni i Kinës. Prandaj në rrethanat aktuale, do të ishte mirë të mbahet një konferencë ndërkombëtare, sepse zgjidhja për Kosovën nuk do të mund të ndodhë pa harmonizimin e qëndrimeve të Perëndimit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Ndërsa, Rusia dhe Kina, jam i sigurt, nuk do të pajtoheshin me një opsion që do të ishte i keq për Beogradin”, vlerëson Angjelkoviq, përcjell Telegrafi.
Ish-udhëheqësi i delegacionit të Serbisë në bisedime me Kosovën, lideri aktual i të Majtës së Serbisë, Borko Stefanoviq, thotë se “mundësia e organizimit të një konference për Kosovën është e largët, sepse një takim i tillë gjithmonë caktohet atëherë kur të jetë përgatitur një zgjidhje, të paktën një pjesë, si dhe vetëdija se çfarë dëshirohet arrihet “.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me këtët, për shkak të pikëpamjeve krejtësisht të ndryshme lidhur me statusin e Kosovës. Gjithashtu, shqiptarëve nuk iu konvenon Konferenca, sepse ajo paragjykon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur dhe se at duhet ta zgjidhin fuqitë e mëdha, derisa ata mendojnë se kjo çështje është e kryer. Ose dialogu do të vazhdojë me pjesëmarrjen dukshme të përfaqësuesve të fuqive të mëdha, SHBA-së dhe Rusisë, para së gjithash, ose BE-ja do të përpiqet të prezantojë formatin e ri si diçka sërish vendimtare dhe të rëndësishme, kurse praninë amerikane si ‘këshilluese’. Sidoqoftë, nëse SHBA do të marrin rolin e ndërmjetësuesit, atëherë me siguri do të duhet aty të hyjë edhe Rusia, ndoshta edhe Kina. Paralajmërimi i ndryshimit në formatin e dialogut është një humbje e diplomacisë së BE-së, sepse është e qartë se Shtetet e Bashkuara do të shpejtojnë gjërat dhe të tregojnë se qasja konstruktive e BE-së nuk po jep rezultate, dhe se çështja duhet ‘këputur’”, thotë Stefanoviq.
Igor Novakoviq, hulumtues në Këshillin për Qeverisje Përfshirëse, thotë për Danas se nuk do të donte të spekulojë, “sepse nuk kam informacione se procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës do të shkojë përtej procesit që udhëheq BE-ja, as nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhë, të paktën jo në vitin e ardhshëm”.
“Një konferencë e tillë ndërkombëtare patjetër do të kishte pasoja për pjesët e tjera të Evropës dhe është e vështirë të besohet se Perëndimi, mbi të gjitha BE-ja, do të pajtoheshin për diçka të tillë. Nga ana tjetër, çdo vendim që do mblidhte akterët e përmendur, mund të rezultojë në një zgjidhje të përhershme dhe zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, thotë Novakoviq. /Telegrafi/