Fitorja e Erdoganit dhe neo-otomanizimi i Ballkanit
Nga Marjana Doda
Fitorja pa lavdi e Erdoganit në referendumin e 16 prillit si dhe kërcënimet e tij për një Europë “fashiste” e “naziste”, duket sikur janë lamtumira e fundit e Turqisë moderne. Me Erdoganin President, tashmë ajo është në të perënduar të saj, ndërsa neo-otomanizmi shfaqet si një ëndërr e keqe e një kohë të shkuar. Turqit modernë u mundën me 1% nga turqit e Anadollit.
Ndërsa ndodh që e shkuara i shërben së ardhmes, në Turqi, historia po përsëritet. e shkuara po rikthen të shkuarën. Turqit hynë për herë të parë në Anadoll në shek.XI, të cilët ndër vite shekuj do ndërtonin Perandorinë Osmane.
Perandori, e cila do të lulëzonte gjithnjë e më shumë mbi gërmadhat e Perandorisë Bizantine dhe të Mbretërisë serbe, të cilat kishin krijuar një shumicë principatash, sundimtarët e të cilëve ishin në grindje me njëri- tjetrin që për të mos humbur pushtetin thërrisnin në ndihmë turqit osmanlli që shfaqeshin më me epërsi politike dhe ushtarake. Duke shfrytëzuar kontradiktat që zienin në Ballkan ata i thyen principatat njëra pas tjetrës për t’u vendosur në Maqedoni, Shqipëri e vende tjera të Ballkanit në shek XIV. Gjatë pushtimeve ndoqën strategjinë e krijimit të shtresave të feudalëve duke i “joshur” me prona me qëllim për të mbajtur pushtetin si dhe heqjen e taksave ndaj cilido që bëhej mysliman.
Kjo ishte Turqia deri në vitin 1923, ku me shembjen dhe mbi rrënojat e saj Kemal Ataturku do ndërtonte Turqinë moderne me orientim evropian. Por vetëm kaq, se pas afro një shekulli po rishfaqet Turqia e dikurshme. Në shekullin XXI, pikërisht më 16 prill 2017 rilind një “sulltan” i ri, i quajtur Taip Rexhep Erdogan, i cili nën logon e Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP), nisur nga deliri për pushtet dhe duke shfrytëzuar mentalitetin oriental të një pjesë të popullit të tij synon gjithnjë e më shumë për të qenë mbret a diktator. Merr shkas nga një grusht shteti në korrik 2016 (ende i dyshimtë), për të treguar dhëmbët e kërcënuar si një turk Selxhuk i para disa shekujsh.
Duke shfrytëzuar periudhën e Turqisë moderne si dhe të bujarisë e demokracisë evropiane, që për dekada të tëra i hapi dyert në Europë për biznesin e popullin turk (ku vetëm në Gjermani jetojnë mbi 1.5 milion turq), vjen një ditë dhe kërcënon. Ndoshta gjithçka ndodhi dhe nga pritja e gjatë e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe pse ajo asnjëherë nuk përmbushi standardet e një vendi të lirë me vlera dhe e denjë për tu bërë pjesë e familjes evropiane duke burgosur e cilësuar terroristë cilindo që kundërshtonte regjimin. Nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut që nga viti 1998 mund të jenë bërë rreth 1700 gjykime kundër shtetit turk për shkelje të të drejtave dhe torturës, të shkeljes të të drejtave të gruas, të luftës kundër kurdëve, gazetarëve etj.
Pas grushtit të shtetit dhe cilësimit fajtor dhe terrorist të kundërshtarit të tij, Fetullah Gylen (azilant në Amerikë), paranoja e tij u shfaq deri në kërcënime ndaj Perëndimit (SHBA-BE) që solli për pasojë në mbajtjen e referendumit të 16 prillit me qëllim për të pasur pushtet absolut dhe shtimin e kompetencave të Presidentit. Gjatë një tubimi në referendum Erdogan do akuzonte Berlinin për “praktika naziste” dhe Holandën për”fashizëm”, ndërsa do deklaronte se:”Kjo Europë, si e para Luftës Dytë Botërore është raciste, fashiste dhe mizore, një Evropë anti- Islam dhe anti-Turqi”.
Agresiviteti i tij erdhi veç të tjerave dhe si rezultat i një Rezolute të Parlamentit Europian, në nëntor 2016 për të pezulluar përkohësisht bisedimet me Turqinë për hyrjen në BE. “Ngrirja e përkohshme e bisedimeve për hyrjen në BE është një sinjal i fortë dhe i qartë politik për Erdogan, nëse do vazhdojë shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nuk do të ketë kthim prapa”,- do deklaronte fill pas kësaj deklarate eurodeputeti Brando Benifei.
Pas gjasave të mbylljes dyerve në Europë (kjo dhe pasi vetë Erdogan para pak ditësh shfaqi idenë e një referendumi për të vendosur nëse turqit do duan ose jo të futen në BE), ai po shfrytëzon një investim ndër vite të Turqisë në Ballkan, që gjithsesi kërkon që të jetë prezente në Europë. Interesat turke në pjesën perëndimore të Gadishullit po vështrohen si përpjekje për të zhvilluar të ashtuquajturën “thellësia strategjike” e politikës së jashtme të shtetit turk. Duke shfrytëzuar pozicionin e saj në udhëkryqin e disa rajoneve po insiston të luajë rol të madh në rajonet e Lindjes Mesme,vendet turke të ish- Bashkimit Sovjetik si dhe në Ballkan. Vitet e fundit, kryesisht në vitet e qeverisjes së AKP me në krye Erdogan, shteti turk ka marrë ngjyrat e neo-otomanizmit me një rol proaktiv në diplomaci, politikë, ekonomi, dhe mbi të gjitha duket sikur çdo gjë mbulohet dhe me një sfond fetar.
Duke shfrytëzuar jo stabilitetin e ndodhur pas Luftës së Ftohtë, luftërat midis fuqive rajonale e globale, diversitetin etnik si dhe mungesën e interesit dhe tërheqjen e kompanive të vendeve perëndimore nga Ballkani, si ato franceze, gjermane, bankave austriake, italiane, dobësimin e investimeve greke etj., u krijua një vakum që Turqia po e shfrytëzon ta plotësojë gjithnjë e më shumë. Ajo po investon në fusha të ndryshme të transportit ajror e rrugor, në sistemin bankar e fusha të ndryshme të ekonomisë, në Bosnjë, në Maqedoni, në Kosovë, Shqipëri e Serbi.
Ajo çfarë është më e rëndësishme, por jo më pak e rrezikshme është se AKP dhe Erdogan po e zëvendëson gradualisht dhe pashmangërisht ideologjinë kemaliste të orientimit evropian me atë të “thellësisë strategjike” duke llogaritur si pjesë të rëndësishme të saj popullsinë prej rreth 9 milionë myslimanë që ndodhen në Ballkan. Në këtë drejtim ajo po investon shumë nëpërmjet TIKA ( Agjencia Ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim) në ngritjen e qendrave për përhapjen e kulturës dhe gjuhës turke. Përveçse mbështetjes trashëgimisë osmane, e pranishmeve në gjeokulturën e Ballkanit modern, ajo kërkon të përfitojë dhe nga ndërvarësia rajonale dhe ruajtja e balancave të rajonit ndërmjet fuqive globale të interesuara (SHBA, Gjermani, Rusi etj.) që morën shkas dhe nga antagonizmat pas shpërthimit të krizave në Bosnjë dhe Kosovë, gjë për të cilën Turqia kërkon të kontribuojë në mirëqenien e identiteteve kulturore të pretenduara prej saj.
Për Turqinë, boshti që kalon nga Bosnja e Mesme nëpër Bosnjën Lindore, në Sanxhak, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, në Bullgari dhe që përfundon në Trakën Perëndimore dhe Lindore është arteria me një rëndësi të veçantë gjeopolitike dhe gjeo-kulturore në Ballkan. Bosnja dhe Hercegovina përfaqëson një bosht të rëndësishëm politik, ekonomik dhe kulturor për Turqinë në Europën Qendrore, ndërsa Shqipëria luan një rol kyç në rajonin e Mesdheut Lindor e në Adriatik, gjë, e cila ka bërë që analistë të ndryshëm të mendojnë se e ardhmja e Ballkanit varet dhe nga boshnjakët e shqiptarët. Problemi i Kosovës mbetet i rëndësishëm si rezultat i marrëdhënieve të rëndësishme me shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, gjë e cila sipas politikanëve turq mund ta bëjnë Serbinë dhe Greqinë të përfshihen në kriza për çështjen shqiptare, ku ajo (Turqia), mendon se mund të luajë rol negociatori. Gjithashtu, asaj nuk do t’i pëlqente as destabilizimi i Maqedonisë, pasi mund t’i priste funksionimin e arteries kryesore të pretenduar prej saj.
Për të qenë çdo ditë e më shumë prezente në rajon, Turqia po kërkon të konkurrojë BE dhe aktorët kryesorë të tij, sidomos tashmë që marrëdhëniet me këtë Bashkësi janë në pikat më kritike si kurrë më parë. Ajo po kërkon të intensifikojë kontaktet me Serbinë, dhe pse historia e sajme Bosnjën dhe Kosovën është e trishtë, por e sheh atë si faktor stabiliteti në Ballkan, përpos interesave ekonomike të saj, ku veç në infrastrukturë ka financuar rreth 800 milion dollarë. Turqia mbështet dhe Maqedoninë në konfliktin e saj ne Greqinë dhe është vendi i parë që njohu Republikën e Maqedonisë me emrin kushtetues, përpos marrëdhënieve ekonomike që njihet si tregu i dytë eksportues më i madh i mallrave turke në Ballkan. Në Shqipëri tregu turk dhe kompanitë turke po kërkojnë gjithnjë e më shumë të jenë prezente.
Kohët e fundit analistë të ndryshëm po mendojnë se përplasjet e politikës turke me BE do shfrytëzohet nga Erdogan që me ndikimin e tij të krijojë një frymë anti-europiane në Ballkanin Perëndimor, që ndoshta mund të mos i kontrollojë më në një të ardhme as BE, SHBA e Rusia. Për ish- kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, me rezultatin e referendumit duket se:”Turqia po i jep fund periudhës së një shteti properëndimor të Ataturkut…Dhe se vazhdimi i politikës agresive ndaj Europës nga ana e Presidentit aktual do çojë sinjale inkurajuese tek rrymat islamike që ekzistojnë në Ballkan”.
Rikthimi i Turqisë në Ballkan po duket si rrezik, pasi kërkohet ndihma e SHBA për të ruajtur stabilitetin, por së fundmi është krijuar një pasiguri si rezultat i deklaratave të Donald Trump që ka lënë të kuptohet se rajoni nuk do të jetë prioritet për të, pra myslimanët nuk do të jenë të mbrojtur sa dhe si duhet si më parë. Veç kësaj, sfidat mes Rusisë e Perëndimit ( BE, SHBA, NATO) do t’i krijojnë terren Erdogan për t’i hyrë ngrehinës Europë nga dritarja e Ballkanit Perëndimor me qëllim për të qenë faktor brenda saj, dhe nëse nuk do mundet të bëhet pjesë e saj.
Erdogan po kërkon të faktorizojë me rikthimin e Turqisë në grupet etnike myslimane në rajon, por ai po ndodhet dhe përballë sfidave me grupimin e kundërshtarit armik Fetullah Gylen, i cili ka investuar në Bosnjë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Serbi në fusha të ndryshme si, në turizëm, arsim, media, në regjion, etj. dhe që nuk po kundërshtohet nga qeveritë ballkanike për aktivitetin e tij, ashtu sikurse dëshiron Presidenti turk, duke e kthyer kështu rajonin dhe në një arenë të vetë konflikteve turke. E gjitha kjo ndodh dhe pas ndërprerjes financimit dhe aktivitetit të shumë shoqatave e vendeve tjera islamike me prirje terroriste që tentuan ndër vite të instalohen në rajon, por që vitet e fundit më shumë po ju lihet hapësirë rrymave fetare turke me idenë e një islami tradicional si rezultat i pushtimit shekullor turk që po përfaqëson kryesisht dhe komunitetet fetare zyrtare në Ballkan.
Gjithsesi, Ballkani Perëndimor, përveç interesave të fuqive tjera globale, mbetet dhe si një sfidë tjetër, ajo mes evropianizimit dhe neo-otomanizimit që sërish po kërkon të shfaqet si një re e zezë në qiellin e Europës. A do të konsolidohet Bashkimi Evropian dhe nuk do ngurrojë të bëjë pjesë të tij vendet biologjike të Ballkanit apo do lejoje këtë boshllëk, që krahas të tjerave të bëhet pjesë dhe e ambicieve të një Turqie të vjetër që po rilind me Erdoganin sulltan-President?