FOTO/ Gaz lotsjellës dhe arrestime, gjithçka që ndodhi në protestën kundër Trendafilovës

Me hedhjen e mjeteve piroteknike para hotelit “Sirius”, PSD ka kundërshtuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Prishtinë. Gjatë protestës aktivistët e PSD-së hodhën mjete piroteknike në hotelit ku kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, mbajti takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Policia për të shpërndarë protestuesit dhe për të ndaluar hedhjen e mjeteve piroteknike, hodhën gaz-lotsjellës si dhe sprej në drejtim të protestuesve, por edhe gazetarëve, fotoreporterëve e kameramanëve, të cilët ishin një numër i madh.

Policia arrestoi gjashtë aktivistë të PSD-së, me në krye kryetarin e saj Dardan Molliqaj, Nol Nushin, Zgjim Hysenin, Korab Korçën, Agron Kabashin dhe Gent Ibrahimin. Gjithashtu, gjatë protestës aktivistët e PSD-së mbanin në duar pankartat: “Poshtë Gjykata Speciale”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK është përpjekja për liri”, etj.

Pas përfundimit të protestës së PSD-së, policia nisi me mbledhjen e dëshmive për protestën ku u përdor gaz lotësjellës dhe mjete piroteknike. /Telegrafi/

SHKARKO APP