Fuqia e shqiptarëve në Maqedoni nuk matet vetëm me numra
Nga Ruben Avxhiu
Disa shqiptarë po qajnë më shumë se Gruevski për rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Maqedoni. U falet nëse janë pjesë e dy ish-partive kryesore shqiptare, BDI dhe PDSH. Askush nuk do që ta shohë partinë e tij të humbasë vota. Po le të mos nxitohemi dhe ta shpallim ditë zie për shqiptarët, vetëm se humbën disa vende në parlament.
Fuqia e shqiptarëve në Maqedoni nuk varet nga numrat absolutë. Po të varej nga ato, shqiptarët nuk do të kishin asnjë të drejtë, sepse maqedonasit janë shumica dhe do të mbysnin me votë çdo nismë për ndryshim. Mirëpo, ka arsye të forta se pse nuk ndodh ashtu.
Kur je pakicë, pra, nuk ka rëndësi se sa vende ke në parlament. Ka rëndësi sesa peshë ka vota e tyre. Kur në parlament, një parti maqedonase ka 60++ vota, shqiptarët kanë zero ndikim edhe po të kenë 40 deputetë. Po nëse dy partitë kryesore maqedonase kanë të dyja më pak se 60 vetë, atëhere edhe 4 vota në parlament mund të bëjnë histori.
Maqedonia nuk ka vetëm ndarjen shqiptaro-maqedonase. Ajo ka edhe ndarjen mes të djathtës dhe të majtës, mes nacionalizmit dhe socializmit, mes konservatores dhe liberales. Republika ka edhe ndarjen mes fetaristëve dhe laikëve, mes rusofilëve dhe eurofilëve e shumë e shumë të tjera. Kur je pakicë, të gjitha këto kanë rëndësi, se pushteti ushtrohet në shumë forma.
Nganjëherë një deputet i vetëm ka zjarrin brenda vetes për të lënë më shumë gjurmë në histori se dhjetëra kostume të zbrazura që hyjnë e dalin nga salla e legjislativit. Nuk ka nevojë të bësh ndonjë trimëri të çmendur. Nganjëherë një negociator i mençur e largpamës bën më shumë punë se 30 kolegë të tij pa fantazi e njohje të kthinave të ligjit. Nganjëherë 10 deputetë që nuk përçahen dhe nuk bëjnë kompromis me nevojat e komunitetit shqiptar dhe demokracisë në vend, bëjnë marrëveshje me të frytshme se 40 deputetë që shesin njëri-tjetrin, duan përfitime personale dhe nuk i vret ndërgjegjia.
Në rastin konkret, në zgjedhjet e djeshme, vërtet që shqiptarët humbën shumë karrike në parlament, po ato nuk ishin realisht të tyret. Ishin të deputetëve që i mbanin. Në vend që të qahemi për to, duhet të përqendrohemi te partitë maqedonase dhe paaftësia e tyre për të kapur shumicën në parlament.
Në këtë situatë, vështirë të imagjinosh një qeveri maqedonase pa mbështetjen e shqiptarëve. Se kush do të qeverisë në Maqedoni tani e vendosin shqiptarët. Dhe ajo që po mendojnë, në këtë moment, dy partitë kryesore është si t’i bindin shqiptarët që t’ua japin atyre (dhe jo palës tjetër) qeverinë.
Shqiptarët kanë mundësi tani, shumë më tepër sesa kur kishin dyfishin e deputetëve, që të ndikojnë politikën e Shkupit.
Po ndërsa maqedonasit po vrasin mendjen se çfarë mund të ofrojnë për një koalicion, a e kanë menduar shqiptarët se çfarë do të kërkojnë në shkëmbim të votës së tyre vendimtare?
A kanë kushte bazë, nga të cilat nuk do të hiqte dorë asnjë parti shqiptare, në ëmnyrë që të mos ia sabotonin negociatat njëra tjetrës? BDI, BESA dhe Aleanca e Shqiptarëve, nuk duhet ta ulin pazarin nga frika dhe inati i njëra-tjetrës. Le t’ia ulin Gruevski dhe Zaevi pazarin njëri-tjetrit.
Suksesi i LSDM-së në Maqedoni erdhi edhe nga mijëra vota që morën nga shqiptarët. Ka dy mënyra që mund të ndikojë një pakicë në vendin e saj. Një prej tyre është me vendet e saj në parlament, po tjetra është duke i ndikuar partitë e shumicë nga brenda. Njëri mjet nuk ka pse anulon tjetrin. Për shumë shqiptarë është turp të votosh për parti maqedonase dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo, Maqedonia nuk do të ndahet e shqiptarët do të jenë të detyruar të jetojnë aty. Në këto kushte, nuk ka rëndësi vetëm që partitë shqiptare të kërkojnë të drejtat e tyre. Duhet edhe që një parti kryesore maqedonase të jetë simpatizuese ndaj tyre. Zaev mund të jetë thjesht mashtruesi i radhës, mirëpo ka një prirje në këtë parti për t’i parë banorët si qytetarë e njerëz në radhë të parë dhe kjo mund t’i ndihmojë shqiptarët deri diku. Nuk është çudi që të ketë qenë thjesht një taktikë elektorale nga LSDM, po këtë do ta tregojë koha. Për momentin e vetmja gjë që ka rëndësi është çfarë negociatash mund të realizojnë shqiptarët, për një qeverisje më të drejtë e më të mirë në Maqedoni. Për një qeverisje që e çon vendin drejt Perëndimit, shqiptarët drejt statusit të barabartë individual në republikë, drejt një zgjidhje të problemit me Greqinë, më shumë hapje me Shqipërinë dhe Kosovën, më pak korrupsion dhe dhunë ekstremiste.
Maqedonia ka një listë të gjatë problemesh dhe shumë prej tyre nuk kursejnë askënd pavarësisht nga kombësia. Ata pak deputetë më shumë që kishim në parlament, nuk e ndaluan dot dhunën kundër studentëve shqiptarë në Shkup, as proceset e dyshimta hetimore e gjyqësore të rasteve të Kumanovës, Sopotit, të Smilkovcit afër Shkupit, etj. As nuk i çuan dot më përpara kërkesat për përdorimin e gjuhës shqipe etj. Mund të ishin njerëz të nderuar dhe shumë të mirë, po votues shqiptarë i shihnin si ushtarë të bindur të kryetarëve të tyre respektivë, pa shumë identitet politik. Shumë ikën pa ua mësuar emrin kurrë. Ndoshta shumë prej tyre nuk e meritojnë këtë dhe këta që po vijnë të rinj nuk ka garanci se si do të sillen. Mirëpo, në demokraci herët a vonë, zgjedhësit do të çohen për të kërkuar më shumë apo edhe diçka ndryshe. Zgjedhjet e djeshme janë një rast i tillë. Raportet politike në Maqedoni u ndryshuan. Shqiptarët ishin autorë të këtij ndryshimi, ndonëse sakrifikuan disa karrike deputetësh. Në vend që të qajmë ikjen e status kuosësëe rrezikshme të deputetëve të harruar, le të duartrokasim aktorët e rinj që u shfaqën në skenë e le të mendojmë se si të prodhojmë nga ky kontekst i ri, një të ardhme më të mirë për shqiptarët dhe demokracinë në Maqedoni dhe në rajon.