Fyerjet ndaj shqiptarëve, akademia malazeze tërheq Fjalorin nga qarkullimi
“Fjalori i gjuhës popullore dhe letrare malazeze” nuk ndodhet në shitje në libraritë e Podgoricës dhe as në selinë e Akademisë malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU), shkruan sot gazeta ditore malazeze “Pobjeda”.
Burime të kësaj gazete pranë Akademisë malazeze thanë se,” Fjalori është tërhequr nga shitja për shkak të rezolutës së Parlamentit të Malit të Zi, miratuar kohë më parë, e cila kërkonte tërheqjen e Fjalorit për shkak të disa terminologjie ku ofendohen pakicat në Mal të Zi”. “Vazhdimi i punës në të ardhmen në Fjalorë i është besuar qendrës Leksikografike, e cila tashmë funksionon në kuadër të Akademisë malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU), dhe se këshilli i tanishëm dhe ekipi i autorëve për hartimin e Fjalorit i ka humbur kompetencat”bën të ditur gazeta “Pobjeda”.
Rezoluta në Parlament ishte dorëzuar nga deputeti i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe deputeti i Forcës,Genci Nimanbegu me të cilën, ndër të tjera. kërkohet që Akademia malazeze e Shkencave dhe Artëve (CANU) të tërheqë Fjalorin për shkak të kualifikimeve fyese për shqiptarët dhe për pjesëtaret e fesë islame.
Fjalori i Akademisë malazeze përplasi politikanë, historianë dhe gjuhëtarë për gjuhën e përdorur, ndërkohë që 114 intelektualë nga Mali i Zi përmes një letre të hapur kërkuan tërheqjen e fjalorit dhe kërkim falje nda disa pakicave që jetojnë në Mal të Zi.