Genci Nimanbegu: Në Malin e Zi mund të dënohesh nëse mban flamurin kuq e zi

Genci Nimanbegu është deputeti shqiptar i Kuvendit të Republikës së Malit të Zi i cili ka marrë mandatin në zgjedhjet fundit si pjesë e listës “Shqiptarët e vendosur”. Ai po ashtu drejton edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.  Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Genci Nimanbegu flet për pozitën aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi, problemet dhe sfidat e tyre, interesin e Kosovës dhe Shqipërisë, e po ashtu edhe për qasjen e Podgoricës zyrtar karshi shqiptarëve në Mal të Zi.

Mes tjerash ai kujton se ”problemi më kryesor dhe elementar me të cilin përballen çdo ditë është centralizimi i pushtetit në shumë fusha, pastaj Ligji zgjedhor me të cilin shqiptarët kanë arritur të marrin vetëm një mandat në Kuvendin e Malit të Zi”, prandaj ai mendon se qasja e Podgoricës zyrtar duhet të ndryshojë karshi shqiptarëve.

Në lidhje me përdorimin e flamurit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, deputeti Nimanbegu shpjegon se si pasoj e paqartësive mes Ligjit për simbolet dhe Ligjit për rendin publik, mbajtësit e flamurit shqiptar mund të gjendet para situatave ku edhe mund të dënohen.

Nimanbegu, pas gjithë peripecive të cilat i ka kaluar Mali i Zi, sidomos prej pas shpalljes së pavarësisë dhe kontributit të shqiptarëve për këtë shtet, cila është pozita e shqiptarëve në Mal të Zi sot?

Po keni të drejtë, populli shqiptar ka kontribuar në formimin e  ri të shtetit të Malit të Zi, pothuajse votat e shqiptarëve ishin vendimtare në këtë proces mjaft të vështirë në atë kohë, si dhe të gjithë pakicat tjera. Jo vetëm kaq, pasi që shqiptarët kanë treguar pjekuri politike kur janë në pyetje çështjet më të rëndësishme, sidomos kur janë në pyetje integrimet Euro-Atlantike. Por, tani 10 vite pas pavarësisë ne ende nuk mund të lavdërohemi se statusi ynë si pakicë autoktone është i kënaqshëm, përkundrazi nëse e analizojmë situatën e përgjithshme, ajo është e përkeqësuar. Kushtetuta dhe legjislacioni nuk implementohen sipas nevojave dhe pritshmërisë tonë.

Mendoj se shqiptarët si popull autokton nuk janë të respektuar në masën e duhur, madje mendoj se jemi të diskriminuar në mjaft aspekte, sepse të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët janë më të pazhvilluarat dhe statusi ynë si politik ashtu edhe socio-ekonomik është i dobësuar. Politika e shtetit me vite të tëra nuk ka treguar as vullnet e as gatishmëri për të realizuar kërkesat e shumta, që ne si subjekt politik i kemi shtruar në vazhdimësi.

Këtu duhet të theksohet edhe vetë politika shqiptare në Malin e Zi e cila më tepër është marr me vetvete dhe kështu e dobësuar nuk ka arriti të jetë unike në shumë kërkesa. Kjo ndasi normalisht është shfrytëzuar, por edhe nxitur nga të tjerët si pushtet, por edhe pjesëtar të opozitës për të ulur kërkesat tona dhe duke shmangur përgjegjësinë e tyre.

Cilat janë problemet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen shqiptaret në Mal të Zi?

Kemi shumë probleme me të cilat po përballohemi me dekada e të cilat nuk hasin në përkrahje për t’u realizuar, por vetëm sa vinë e shtohen. Si problemet më kryesore dhe elementare me të cilat përballemi çdo ditë do të veçoj centralizimin e pushtetit në shumë fusha, e sidomos në arsim, pastaj Ligjit zgjedhor me të cilin shqiptarët kanë arritur të marrin vetëm një mandat në Kuvendin e Malit të Zi.

Pastaj çështja e Komunës së plotë të Tuzit është drejtpërdrejtë problem politik dhe kjo duhet të zgjidhet në të mirë të banorëve të kësaj zone. Problem kemi me kthimin e pronave shqiptare, asimilimi dhe shpërngulja e shqiptarëve janë dukuri shumë brengosëse, punësimet proporcionale të pakicës shqiptare në institucionet shtetërore nuk respektohen. Po ashtu duhet të kemi investime të qëndrueshme në zonat ku banojnë shqiptarët. Të gjitha këto kërkesa janë dëshmi mungese e vullnetit politikë për t’i realizuar, pasi që me Kushtetutë dhe ligje ato janë të përcaktuara. Shembulli më i mirë është ligji mbi përdorimin e lirë të simboleve kombëtare. Edhe pse përdorimi është i lirë, kemi pasur rast këtë vit kur janë gjobitur turistë nga Shqipëria, sipas një ligji tjetër dhe më duket si i vemi rast nga 2006 e këtej.

Pas procesit të fundit zgjedhor në nivel vendi, me ardhjen e garniturave të reja në politikën e vendit, a prisni të ketë ndryshime pozitive për shqiptarët në Mal të Zi?

Zgjedhjet e fundit parlamentare kanë dhënë rezultate të papritura pothuajse për të gjithë, e sidomos për shqiptarët. Ky fakt duhet të na bëjë politikisht edhe më të ndërgjegjshëm të gjithëve si shoqëri, sepse mbi të gjitha këtu duhet të dominojë mbrojtja e identitetit dhe vlerave kombëtare si popull autokton. Ne si koalicion “Shqiptarët të vendosur” kemi hartuar një Platformë Politike të cilën do ta prezantojmë dhe ajo do të jetë bazë  për hyrje në Qeverinë e re të Malit të Zi.

Nëse kërkesat tona do të kenë përkrahje dhe vullnet që më në fund të fillojnë të realizohen, atëherë edhe ne do të hyjmë në shumicën e re parlamentare dhe mund të kemi ndryshime pozitive për shqiptarët. Përndryshe, nëse kërkesat tona elementare dhe të kamotshme përsëri nuk përfillen, atëherë nuk mund të presim lëvizje pozitive as për shqiptarët, sepse kërkesat dhe të drejtat e popullit shqiptarë mund të realizohen vetëm përmes subjekteve politike shqiptare. Ne si shqiptarë kemi gatishmëri dhe kapacitet, ashtu si edhe deri tani, por mungon realizimi nga ana e Qeverisë dhe organeve tjera shtetërore.

Periudha e ardhshme do të ketë në fokus së paku dy synime politike: Integrimin në NATO dhe kjo është arsyeja edhe për polarizimin e skenës politike në Malin e Zi dhe mungesa e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomikë, por edhe pabarazia e zhvillimit ekonomikë të zonave në vetë Malin e Zi.

Nëse ky dallim me politika të ndryshme zbutet dhe fillon investimi që do të rris punësimin, infrastrukturën në zona më pak të zhvilluara në Mal të Zi atëherë edhe për Shqiptaret do të fillojnë ndryshime pozitive.

Si do ta vlerësonit qasjen e Republikës së Kosovës ndaj shqiptarëve në Mal të Zi karshi të gjitha atyre nevojave e problemeve me të cilat përballet shqiptari i Malit të Zi e që Kosova do të mund të bënte diçka?

Sa i përket Republikës së Kosovës, mund të them se kemi një lidhshmëri dhe mirëkuptim. Por kur është në pyetje qasja institucionale duhet të kemi parasysh se Kosova është shtet i ri i cili ka pasur shumë probleme të brendshme për t’u ndërtuar dhe për të funksionuar. Në këtë kontekst edhe funksionimi ndërshtetërorë  me Malin e Zi është ende në formim e sipër dhe ka mjaft çështje të hapura të cilat presin zgjidhje, një ndër të cilat është edhe çështja e ish të punësuarve nga Mali i Zi në Kosovë, të cilëve ju mungojnë vitet e punës nga Kosova, për të pasur pensionin më të plotë.

Ndihmën më të madhe e kemi pasur në fushën e arsimit, me regjistrimin e studentëve dhe ndihmë në tekste shkollore dhe mjete didaktike, por shpresojmë se në të ardhmen do të krijojmë një bashkëpunim më të lartë institucional edhe në fushat tjera pasi që ne si pakicë shqiptare këtë e presim nga institucionet dhe diplomacia Kosovare.

Po ashtu, si do ta vlerësonit qasjen e Republikës së Shqipërisë ndaj shqiptarëve në Mal të Zi dhe nevojave që ajo ka?

Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie të mirë diplomatike dhe institucionale me Malin e Zi, kurse  neve si shqiptarë ndihmesën më të madhe e kemi në shkollimin e lartë për të cilin fitojmë kuotat. Kemi takime shtetërore dhe diplomatike, por mendoj se Republika e Shqipërisë, si shtet amë  duhet të ketë veprime të niveleve më të larta kur është në pyetje Mali i Zi dhe trevat autoktone të  shqiptarëve, sepse institucionalisht mund të përshpejtohen disa çështje të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në përmirësimin e situatës socio-ekonomike të zonave ku jetojnë shqiptarët, siç janë hapja e pikave kufitare në zonat Hutaj-Zogaj, Shën Kollë-Pulaj, Cemi i Trieshit-Grabom, si dhe çëshjte të tjera të cilat do të ishin në interes të popullit shqiptarë.

Ne presim që në periudhën e ardhshme të kemi një komunikim më intenziv dhe ne si popull autokton të jemi një urë lidhëse e marëdhënjeve ndërshtetërore Shqipëri –Mali i Zi me theks të veçantë në avancimin e pozitës shqiptare në Mal të Zi.

Dhe për fund, para se të ju urojmë 28 nëntorin, Ditën e Flamurit, a do të mund ta përdorin shqiptarët flamurin e tyre për 28 nëntor pa menduar se mund të gjobiten ose arrestohen?

Shqiptarët tash sa vite me radhë e festojnë lirshëm 28 Nëntorin. Në çdo trevë shqiptare në Mal të Zi organizohen festime dhe aktivitete të shumta. Shqiptarët kanë të drejtë të mbajnë flamurin dhe këtë e bëjmë me krenari; t’ju  përkujtojë vetëm festat e 28 Nëntorit në 2012 apo edhe aktivitetet që mbahen edhe sot në vazhdimësi. Por nuk mund të përgjigjem në tërësi pozitivisht për këtë çështje, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me dy ligje të Malit të Zi të cilët janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, Ligji mbi simbole kombëtare dhe Ligji mbi qetësin dhe rendin publik.

Me ligjin e dyte janë dënuar dy tifozë nga Shqipëria në Budva në kohë kur ktheheshin nga kampionati Evropian në futboll dhe ne këtë e vlerësojmë si të papranueshme. Shqiptarët kanë të drejtë të mbajnë flamurin, por jo në vende publike ku ka mundësi interpretimi qe konsiderohet se prishet rendi dhe qetësia, dhe kjo me automatizëm e cenon përdorimin e lirë dhe pa pengesa të flamurit kombëtarë.

Kemi pasur rast të gjobimit dhe kemi reaguar ndaj secilit, por kjo nuk është e mjaftueshme derisa të kemi ligjin mbi rendin publike, i cili në shënjestër të gjobave ka flamurin shqiptarë. Gjithsesi njëra nga kërkesat kryesore për qeverinë e ardhshme, siç e kam theksuar edhe më lartë do të jetë ndryshimi  i Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike.

Njëherësh, shfrytëzoj rastin që të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden, t’ju uroj 28 nëntorin, Ditën e Flamurit!

SHKARKO APP