Gjykata në Shkup liron me kusht të akuzuarit për manipulim zgjedhjesh

Ish-zyrtarët e lartë maqedonas, krahas kryebashkiakut të Pustecit në Shqipëri Edmond Themelko do të ndiqen në liri ndërkohë që prokuroria ka apeluar vendimin për masën e sigurisë.

Nga Sinisa Jakov Marusic, BIRN

Gjykata Penale në Shkup pritet t’i përgjigjet të enjten ankesës së dorëzuar ga Prokuroria Speciale e Maqedonisë për një vendim të gjykatës së faktit të premten e kaluar që i la ministrat e dyshuar për manipulim të zgjedhjeve nën masën e sigurisë ndjekje në gjendje të lirë.

Të tetë të dyshuarit, përfshirë edhe dy ish-ministra, u morën në pyetje mbi akuzat për manipulimin e zgjedhjeve gjatë fundjavës por u lanë të lirë nga gjykata.

Gjykata e apelit njoftoi se e ka krijuar trupën gjykuese me tre anëtarë për rishikimin e ankesës së dorëzuar nga prokuroria mbi masën e sigurisë.

Nëse gjykata e refuzon sërish kërkesën për masën e sigurisë arrest me burg, prokuroria speciale mund të kërkojë një masë të re sigurie, por vetëm në rast se siguron prova të reja që ta justifikojnë arrestimin me burg.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale njoftoi se po vijon punën për çështjen që e ka titulluar “Titaniku”.

Në një konferencë për shtyp të premten, ajo tha se dyshonte se ish-ministrat dhe ish-zyrtarët e lartë organizuan manipulime zgjedhore në vitin 2013.

Gjykata penale thirri në seancë ish ministren e policisë Gordana Jankuloska, ish ministrin e transporteve Mile Janakieski dhe sekretarin e përgjithshëm të qeverisë Kiril Bozinovski, të gjithë anëtarë të partisë VMRO DPMNE të ish kryeministrit Nikola Gruevski, të cilët u dorëhoqën në janar si pjesë e marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Kryebashkiaku i Pustecit në Shqipëri, Edmond Temelko, u thirr në gjykatë dhe u la gjithashtu në ndjekje të lirë. Ai akuzohet se pati organizuar banorët me e zonës së tij në Shqipëri, të cilët janë minoritet maqedonas, për të votuar në zgjedhjet maqedonase si një grup votash të gatshme për partinë e Gruevskit. Funksionarët e qeverisë maqedonase organizuan regjistrimin e tyre në regjistrin e zgjedhjeve duke lëshuar dëshmi vendbanimesh të falsifikuara.

Të gjithë të dyshuarit e “Titanikut” janë të akuzuar për shkelje të shumta, nga krijim organizate kriminale te dhunimi i të drejtave elektorale, dhunimi i lirisë së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrim të materjaleve zgjedhore dhe keqpërdorim të aseteve publike gjatë një fushate elektorale.

Prokuroria e Posaçme, e cila është krijuar për të hetuar aludimet për krim dhe korrupsion në nivel të lartë, deklaroi gjithashtu se po heton gjykatës dhe anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Çështja kundër ministrave, e para e ngritur që kur u krijua Gjykata Speciale vjeshtën e kaluar, vjen ndërkohë që Maqedonia është në krizë politike.

Telashet e ish-qeverisë Gruevski lidhen me akuzat e ngritura nga opozita për përgjime ilegale të rreth 20 mijë njerëzve, përfshirë edhe vetë ministrat e qeverisë.

Partia SocialDemokrate në opozitë filloi publikimin pjesë-pjesë të transkripteve të bisedave të përgjuara, shkurtin e kaluar.

Opozita këmbëngul se Gruevski përmes përgjimeve ka krijuar dëshmi të krimeve të zyrtarëve të vet të lartë, përfshirë korrupsion, kontroll të gjyqësorit mbi qeverinë, prokurorinë dhe median, arrestime për qëllime politike, dhunime elektorale e madje edhe një tentativë për të fshehur vrasjen e një të riu nga një oficer policie.

Gruevski, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2006, dha dorëheqjen muajin e kaluar pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Ai thotë se përgjimet janë “fabrikim” i shërbimeve sekrete të huaja, emrat e të cilave nuk i jep dhe që i janë dhënë opozitës me synimin për të destabilizuar vendin.

SHKARKO APP